Lidhje

Netanyahu: Izraeli i hapur "për pauza të shkurtra taktike" në Gazë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli do të shqyrtojë mundësinë për "pauza të shkurtra taktike" në luftimet në Gazë, për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare ose për të lejuar daljen e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit.

Por udhëheqësi izraelit përsëriti refuzimin e vendit të tij për një armëpushim të plotë nëse nuk lirohen të gjithë personat që mbahen peng nga Hamasi.

Zoti Netanyahu i bëri komentet në një intervistë për televizionin amerikan ABC gjatë së cilës u pyet se kush duhet ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftimeve.

"Unë mendoj se Izraeli do të ketë për një periudhë të pacaktuar përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi ne atë përgjegjësi," tha zoti Netanyahu.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e 1,400 vetëve, Izraeli filloi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste. Hamasi mori peng rreth 240 personave.

Bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 10,000 në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi e kanë kundërshtuar presionin ndërkombëtar në rritje për një armëpushim.

I pyetur nëse ai ishte i hapur për një pauzë humanitare në Gaza, Netanyahu tha: “Nuk do të ketë armëpushim, nuk do të ketë armëpushim të përgjithshëm në Gaza pa lirimin e pengjeve tona". Ai shtoi: "Për sa i përket pauzave të shkurtra taktike - një orë këtu, një orë atje - ne i kemi pasur ato edhe më parë. Besoj se do të veprojmë në përputhje me rrethanat, në mënyrë që të mundësojmë hyrjen e mallrave humanitare, ose daljen e pengjeve”.

Ndërkohë gjatë telefonatës së tij të hënën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Presidenti Joe Biden nuk arriti një marrëveshje mbi nevojën për një pauzë humanitare të luftës Izrael-Hamas.

Uashingtoni ka bërë trysnu për pauza në konflikt për të lejuar hyrjen e ndihmave. Por ashtu si Izraeli, edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nga një armëpushim i plotë do të përfitonte vetëm Hamasi.

Presidenti Joe Biden diskutoi për pauza të tilla dhe mundësinë e lirimit të pengjeve në një telefonatë me zotin Netanyahun të hënën, duke përsëritur mbështetjen e tij për Izraelin, por duke theksuar njëkohësisht se duhet të mbrojë civilët, tha Shtëpia e Bardhë.

XS
SM
MD
LG