Lidhje

Arrestohet një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës


Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë, thanë të premten se është arrestuar Isni Kilaj, një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një njoftim të Prokurorisë së Specializuar thuhet zoti Kilaj u arrestua “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Fillimisht paraditen e së shtunës lajmin e bëri të ditur komuna e Malishevës e cila në një komunikatë të postuar në rrjetet sociale, tha se “me shqetësim të madh ka marrë informacionin se (Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit) EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panik dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve”.

Në komunikatë thuhet “ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit”.

Njoftimi për arrestimin e zotit Kilaj, pasoi bastisjet gjatë ditëve të fundit të shtëpive të disa prej këshilltarëve të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë javës janë bastisur shtëpitë e Blerim Shalës, Bashkim Smakajt, Artan Behramit e Ismail Sylës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, tha gjatë natës në një komunikatë se “po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, por pa dhënë më shumë hollësi.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës në gusht të vitit 2015, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të vitit 2022 Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjithë i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Me 17 tetor Gjykata e Posaçme, shpalli vendimin për lirimin me kushte nga burgu të ish kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati, që po vuante një dënim për “pengim të drejtësisë”.

Gjykata tha se po shqyrton mundësinë për lirimin e ish nënkryetarit të veteranëve të luftës, Nasim Haradinaj.

Që të dy qenë dënuar në muajin maj të vitit 2022, me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie.

Me 6 tetor të këtij viti, Dhomat e Specializuara thanë se janë arrestuar dy persona në Kosovë, nën dyshimet për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, u arrestuan “në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale”, dhe “pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

XS
SM
MD
LG