Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, shpalli vendimin për lirimin me kushte nga burgu të ish kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati, që po vuante një dënim për “pengim të drejtësisë”.
Në muajin maj të vitit 2022, zoti Gucati së bashku me zëvendësin e tij Nasim Haradinaj, u dënuan me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie.
Në një njoftim të Gjykatës thuhet se kryetarja e saj Ekaterina Trendafilova, “vuri në dukje zotimin e vendosur të zotit Gucati se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”.
Nëse dështon të përmbushë kushtet, atëherë vendimi për lirimin e tij mund të anulohet, thuhet në njoftim.
Gjykata tha po ashtu se po shqyrton mundësinë për lirimin e Nasim Haradinajt, por citoi zonjën Trendafilova të ketë thënë se zoti Haradinaj “ka precedentë disiplinorë në njësinë e paraburgimit dhe megjithëse ai ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende hapësirë për rehabilitim”.
Sipas njoftimit, kryetarja e gjykatës ka kërkuar nga administrata e këtij institucioni që brenda një periudhe të pacaktuar kohore t’i dërgojë një raport për sjelljen e zotit Haradinajt, nga i cili do të varet edhe mundësia e lirimit të tij.
Zori Gucati dhe zoti Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020 nën akuzat për “pengim të administrimit të drejtësisë”. Akuzat ndaj tyre u ngritën pasi Organizata e Veteranëve të Luftës, në shtator të vitit 2020, tha se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.
Gjykata e Posaçme e njohur i Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar trajtojnë pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.
Në dhjetor të vitit të vitit 2022 Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.
Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.