Lidhje

Shqipëri, kaos dhe tymuese në sallën e parlamentit


ALBANIA-PARLIAMENT/OPPOSITION
ALBANIA-PARLIAMENT/OPPOSITION

Në Shqipëri, seanca e sotme e Kuvendit u mbizotërua nga kaosi dhe përplasjet mes opozitarëve dhe shumicës socialiste.

Deputetët opozitarë, mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, mblodhën karriget e deputetëve rreth foltores, dhe prej aty, një prej tyre ndizte tymuese, duke përsëritur se shumica po u shkelte të drejtat kushtetuese.

Nga ana tjetër, socialistët, duke qëndruar në këmbë, miratuan dhjetë ligje, shtatë vendime dhe një akt normativ.

Shqipëri, kaos dhe tymuese në sallën e parlamentit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Ata u shprehën se shkak për këto sjellje të opozitarëve janë hetimet e SPAK-ut ndaj zotit Berisha.

Deputetët përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha, kishin ardhur herët në sallën e seancave plenare për të grumbulluar karriget e ligjvënësve përpara foltores së Kuvendit.

Në disa raste, ky veprim u shoqërua me konflikte të drejtëpërdrejta mes tyre dhe deputetëve socialistë.

Për afro gjysmë ore sa vazhdoi seanca opozitarët përkrahës të zotit Berisha protestuan me thirrje të ndryshme.

Një prej tyre kishte zënë foltoren dhe prej aty ndizte herë pas here tymuese, duke replikuar me deputetët socialistë dhe me punonjësit e shërbimeve të Kuvendit.

Deputetët opozitarë akuzojnë socialistët se po u refuzohet e drejta e tyre kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, apo se dhe përcakton përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ish kryeministri Sali Berisha tha pas mbylljes së seancës se ajo që ndodhi sot ishte një “reagim me forma të mosbindjes civile dhe një protestë nga deputetët e opozitës me kërkesën e prerë të rikthimit të të drejtave të tyre kushtetuese”.

“Jemi opozita e të drejtave të mohuara, si kurrë ndonjëherë në 32 vite”, theksoi ai.

Por pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet e Kuvendit, socialistët qëndruan në këmbë, ndërkohë që kryetarja e Kuvendit vijoi procedura të përshpejtuara për miratimin e çështjeve në rend të ditës.

Brenda gjysmë ore u miratuan 10 ligje, 7 vendime dhe një akt normativ, që kishin të bënin me buxhetin, energjinë, hidrocentralet, me BE-në, me avokatinë, ushtrinë, pagat në disa institucione dhe me mbrojtjen shoqërore.

Deputeti socialist Erjon Braçe, hodhi poshtë pretendimet se deputetëve opozitarë po u shkeleshin të drejtat, por gjithçka po ndodhte, sipas tij, ka të bëjë me raportet e ish kryeministrit Berisha me drejtësinë, SPAK dhe GJKKO.

“Ata po përdorin dhunën në parlament si reagim apo si gjuhë ndaj drejtësisë. Salla e parlamentit të mos përdoret për të komunikuar me drejtësinë. Cilido që ka një akuzë mbi kurriz duhet të komunikojë me prokurorin dhe gjykatësin e tij i mbrojtur nga avokati i tij, jo i mbrojtur nga mandati dhe as nga dhuna në parlament. Cilido që ka një akuzë nuk duhet të përdorë as parlamentin dhe as partinë politike”, tha zoti Braçe.

Ish kryeministri Berisha është person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme SPAK mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, ndërsa Gjykata e Posaçme ka vendosur të ndalojë udhëtimet e tij jashtë vendit dhe të paraqitet dy herë në muaj pranë institucioneve të drejtësisë.

Ndërsa deputeti Ervin Salianji ndizte sot në foltoren e Kuvendit disa tymuese, punonjësit e Gardës, u përpoqën disa herë për t’ia marrë ato nga dora duke i nxjerrë jashtë sallës.

Përballë tij, në krahun e majtë, socialistët ngrinin kartonat jeshilë për miratimin e akteve dhe ligjeve të ndryshme, pa debate apo diskutime.

Garda e Republikës hodhi poshtë kategorikisht dhe përgënjeshtroi si të pavërteta deklaratat e disa deputetëve opozitarë për mbajtjen e armëve të zjarrit nga punonjësit e saj gjatë seancës së sotme.

“Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç e parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet”, thuhet në reagimin e shkurtër të këtij institucioni.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe deputetët përkrah tij nuk morën pjesë në këtë seancë.

Ndarjet në radhët e opozitarëve kanë nisur dy vjet më pare e po thellohen, kur ish kryeministri Berisha u shpall non grata nga SHBA-të për korrupsion dhe cënim të demokracisë.

Veprimet e sotme të opozitarëve ishin paralajmëruar prej tyre, ndërsa ish kryeministri Berisha dhe pasues të tij janë shprehur se nuk do të ketë zhvillim normal të punimeve të Kuvendit, përsa kohë nuk do të respektohen të drejtat e opozitës.

Deputetët opozitarë u përpoqën dje të bllokonin Konferencën e Kryetarëve, në të cilën ministri Financave do të paraqiste projektbuxhetin për vitin 2024. E pamundur u bë më vonë dhe mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, e cila u zhvillua online.

XS
SM
MD
LG