Në Shqipëri, Gjykata e posaçme konfirmoi sot pasdite masën “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim të daljes jashtë vendit” ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, nën hetim për korrupsion, në rastin e procedurave të privatizimit të ish Kubit sportiv Partizani. Sipa vendimit, ish kryeministri do të duhet të paraqitet në Policinë gjyqësore dy herë në muaj, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji. Paraqitja e tij e parë do të duhet të bëhet më datë 6 nëntor.
Seanca për rivlerësimin e kësaj mase u zvarrit duke marrë tre ditë kohë, për shkak të përplasjeve me avokatët e ish kryeministrit. Ditën e martë ata kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me dosjen, ndërsa dje u larguan nga seanca pasi gjykata sipas tyre nuk mund të vijonte me procesin përsa kohë kishin nisur procedurat për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka, e cila sipas zotit Berisha kishte shkelur Kushtetutën duke mos kërkuar autorizimin e parlamentit për vendosjen e masave të sigurisë ndaj tij.
Largimi i mbrojtësve të zotit Berisha, bëri që gjykata të provonte disa herë të caktonte avokatë të zgjedhur prej saj. Ai i zgjedhur fillimisht prej saj, mbrëmë, Artan Simoni, u ndërrua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi më herët, zoti Simoni ishte shprehur publikisht në rrjetet sociale mbi rastin e ish kryeministrit. Sot gjykata caktoi dy avokatë të tjerë, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati. Por më vonë u mësua se dhe ato ishin tërhequr duke mos marrë përsipër mbrojtjen, dhe se Gjykata kiste caktuar ndërkohë avokaten tjetër Valentina Todoresku.
Përpara nisjes së seancës sot pasdite, u njoftua se ndërkohë, ishte rrëzuar kërkesa e ish kryeministrit për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Gjoka.
Zoti Berisha dyshohet se gjatë kohës që drejtonte qeverinë, përmes ndryshimeve ligjore dhe ndikimit të institucioneve në varësi të tij, ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një prej trashëgimtarëve të tokës, që përfituan nga privatizimi i ish Klubit sportiv Partizani.
Zoti Malltezi u arrestua të shtunën nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Për të njejtat vepra penale të dyshuara, nën masën e “Detyrimit për paraqitje” dhe “Ndalim të udhëtimit jashtë vendit”, është dhe zoti Fatmir Bektashi, ndërtuesi që në ortakëri me Malltezin realizoi kompleksin e pallateve që u ngritën në sipërfaqen ku më parë kishte qenë ish Klubi Sportiv Partizani.