Një muaj pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në veri, përgjegjësinë për të cilin e mori ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, ky subjekt politik zgjodhi të martën kryesinë e re, një veprim që nga vëzhguesit vlerësohet si përpjekje për t’u distancuar nga ngjarjet e 24 shtatorit.
Lista Serbe, që është subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi, zgjodhi mjekun Zlatan Elek në postin e kryetarit të saj.
Zlatan Elek, ish ushtrues i detyrës së drejtorit të Spitalit në Mitrovicën e Veriut, pason kryetarin e deritashëm të Listës serbe, Goran Rakiç.
Në një njoftim të kësaj partie citohet kryetari i saj i ri të ketë thënë se Lista serbe do të jetë zyra kryesore rreth së cilës do të mblidhen të gjithë serbët në Kosovë dhe ku të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në bashkërendim me Beogradin zyrtar.
Më herët gjatë këtij muaji Lista Serbe u shpreh e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja të mundshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Dërgimi i tyre në zyrat komunale me forca policie, u kundërshtua me protesta të ashpra nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përleshën me policinë e Kosovës dhe forcat e KFOR-it në fund të muajit maj.
Lista serbe në vazhdimësi kishte kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje të reja me plotësimin e disa kushteve, posaçërisht me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, pas situtës së krijuar me sulmin e 24 shtatorit në veri, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje që të jenë pjese e nismave për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Qeveria e Kosovës është pajtuar të organizojë zgjedhje të reja në këtë zonë në kuadër të përpjekjeve për shtensionimin e situatës, duke hartuar edhe një udhëzim për organizimin e një peticioni që do t’i hapte rrugë këtij procesi.
Lista Serbe i ka dënuar ngjarjet e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë një oficer i policisë së Kosovës, por nuk është distancuar asnjëherë nga veprimet e ish nënkryetarit të saj.