Lidhje

Ligjvënësi Jordan ndal përkohësisht garën për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve


Ligjvënësi republikan Jim Jordan
Ligjvënësi republikan Jim Jordan

Ligjvënësi republikan i vijës së ashpër Jim Jordan u tha kolegëve të tij se për momentin do të ndalë garën për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe do të mbështesë republikanin Patrick McHenry që të mbajë këtë rol përkohësisht.

Dhoma e Përfaqësuesve ka më shumë se sa dy javë që është pa kryetar dhe ligjvënësi Jordan ka dështuar në dy raunde votimi që të sigurojë shumicën e nevojshme për marrjen e këtij posti, ndërsa përballet me kundërshti nga demokratët dhe më shumë se sa 20 republikanë.

Zoti Jordan ka mbështetjen e ish presidentit Donald Trump, por nuk ka siguruar dot 217 votat që i duhen për të zënë vendin e lënë bosh pas shkarkimit të ish kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.

Të martën 20 republikanë votuan kundër zoti Jordan, ndërsa të mërkurën atij nuk i dhanë mbështetje 22 republikanë.

Ligjvënësi Patrick McHenry
Ligjvënësi Patrick McHenry


Gjatë një takimi me dyer të mbyllura me republikanë të tjerë, zoti Jordan tha se nuk do të kërkonte një raund të tretë votimi, por në vend të kësaj do të mbështesë planin për të forcuar pozitat e ligjvënësit McHenry, që mënyrë që ai të mbajë postin deri në muajin janar.

Zoti McHenry ka shërbyer si kryetar i përkohshëm që prej shkarkimit më 3 tetor të zotit McCarthy.

Dhoma e Përfaqësuesve ndodhet në ditën e 17-të të saj pa një udhëheqës, duke pezulluar punën e Kongresit.

XS
SM
MD
LG