NATO-ja tha të shtunën se më shumë se 130 trupa nga Rumania u janë bashkuar forcave paqeruajtëse të KFOR-it, si pjesë e përforcimeve që pasuan situatën e krijuar pas një sulmi mbi policinë e Kosovës në veri në fund të muajit të kaluar.
Aleanca autorizoi forca shtesë pasi një grup i armatosur sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Bannjskë në veri, duke vrarë një oficer policie dhe plagosur një tjetër. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve të asaj dite që nxitën shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajon.
Tashmë 200 trupa britanike u janë bashkuar rreth 4 mijë e 500 forcave paqeruajtëse që ndodhen në Kosovë, të cilat thanë se kanë trefishuar patrullimet përgjatë kufirit me Serbinë.
Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit dhe zyrtarët në Prishtinë kanë paralajmëruar mbi rreziqet nga përsëritja e sulmeve të dhunshme nga siç thuhet “strukturat kriminale të Serbisë”, ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit.
Beogradi zyrtar ka mohuar çfarëdo lidhje me grupin e armatosur duke paralajmëruar ndjekjen penale të ish zyrtarit lokal serb Milan Radoiçiç i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Serbisë bashkëpunim të pa kusht në hetimin e sulmit, ndërsa ngulin këmbë që palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të një marrëveshjeje që është arritur në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti.