Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, në përgjigje të shqetësimeve për situatën e sigurisë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri.
Në një njoftim të qeverisë britanike thuhet se sekretari i Mbrojtjes Grant Shapps pas një kërkese nga Komandanti i Lartë i NATO-s në Evropë dhe miratimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, do të vendosë rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit në ditët në vijim, për t'iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash tashmë në vend si pjesë e një stërvitjeje vjetore.
Admirali Sir Tony Radakin, Shef i Shtabit të Mbrojtjes, citohet të ketë thënë se ky vendim “demonstron përgjegjshmërinë e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar” dhe se zgjerimi i mbështetjes për forcat e KFOR-it “nënvizon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Të premten NATO-ja njoftoi se ka miratuar forca shtesë për Kosovën, duke theksuar se KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
Të dielën me 24 shtator një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer të policisë dhe plagosur një tjetër. Më pas grupi hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë në veri duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.
Ngjarjet e së dielës janë cilësuar si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kosova akuzon Beogradin për organizmin dhe pajisjen e grupit të sulmuesve, ndërsa Serbia mohon përfshirjen në ngjarjen që nxiti shqetësime të reja ndërkombëtare për qëndrueshmërinë në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin lidhur me njoftimet se Serbia ka grumbulluar trupa ushtarake në kufirin me Kosovës, duke i bërë thirrje asaj për tërheqjen e menjëhershme të tyre.
Qeveria e Kosovës po ashtu i bëri thirrje Serbisë për çmilitarizimin e zonës kufitare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi sërish të dielën njoftimet për një grumbullim ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, duke u ankuar për siç tha një "fushatë gënjeshtrash" kundër vendit të tij.
Rreth 4 mijë e 500 trupa të udhëhequra nga NATO-ja janë të vendosur në Kosovë. Shtatëqind trupa shtesë u dërguan në Kosovë në fillim të qershorit pas trazirave të dhunshme të 29 majit kur mbi 90 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të plagosur në përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale në komunat veriore.