Lidhje

SHBA, debati mbi vazhdimin e ndihmës për Ukrainën


Congress Republicans
Congress Republicans

Pas shkarkimit të ligjvënësit republikan Kevin McCarthy nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm disa ditë pasi Kongresi nuk miratoi fondet për mbështetjen e mëtejshme financiare për Ukrainën, Presidenti Joe Biden tha se do të mbante një fjalim drejtuar vendit për të bindur popullin amerikan që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në përpjekjet për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

SHBA, debati mbi vazhdimin e ndihmës për Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00


Ndërsa ushtarët ukrainas po vazhdojnë kundërofensivën, Pentagoni paralajmëroi se pa veprim nga Kongresi, fondet për të mbështetur përpjekjet kundër agresionit të Rusisë mund të mbarojnë pas disa muajve.

Të mërkurën, presidenti Joe Biden tha se do të mbajë një "fjalim madhor" për të bindur popullin amerikan të vazhdojë ndihmën për Kievin.

"Do të argumentojë se suksesi i Ukrainës është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme mbi fjalimin e presidentit, por e pranoi në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës se mbështetja e publikut amerikan po pakësohet.

“Ne i shohim sondazhet dhe e kuptojmë këtë. Por ne gjithashtu besojmë se vazhdimi i mbështetjes për popullin e guximshëm të Ukrainës është shumë i rëndësishëm për sigurinë tonë kombëtare.”

Të martën, vetëm disa ditë pasi Kongresi miratoi një buxhet të përkohshëm për qeverinë, duke i hequr atij fondet për Ukrainën, pas një marrëveshje të vështirë mes republikanëve dhe demokratëve, kryetari i Dhomës së Përfaëqsuesve, Kevin McCarthy u rrëzua nga posti, për herë të parë në historinë amerikane.

Jim Jordan, ligjvënësi i parë republikan, që shpalli publikisht synimin për të pasuar zotin McCarthy, tha të mërkurën se është kundër një pakete ndihmash për Ukrainën.

“Çështja më urgjente për amerikanët nuk është Ukraina, por situata në kufirin jugor dhe kriminaliteti.”

Edhe republikani numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise deklaroi të mërkurën se do të garonte për postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Një kandidat tjetër mund të jetë edhe Kevin Hern, kryetar i Komitetit Studiues të Republikanëve, grupi më i madh republikan në Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve planifikojnë të mblidhen të martën për një raund të parë votimi të brendshëm partiak.

Mungesa e miratimit të fondeve mund të ndikojë në fushën e betejës në Ukrainë dhe mund të inkurajojë Moskën.

“Rusia shpreson që ky kaos në Kongres të vazhdojë dhe të mos ketë vazhdimësi të fondeve për Ukrainën”, thotë analisti Luke Coffey nga Instituti Hudson.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të hënën se ai ka besim se ndihma amerikane do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG