Në Kosovë analistë shqiptarë dhe serbë i thanë Zërit të Amerikës se ngjarjet e fundit në veri e dëmtojnë në masë të madhe procesin e dialogut Kosovë – Serbi, por shfaqin pikëpamje të ndryshme sa i përket vazhdimësisë së këtij procesi.
Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se treguesit për përfshirjen e mundshme të Serbisë në sulmin e së dielës kundër poilicsë së Kosovës do ta përmbysin formatin aktual të bisedimeve, duke ngritur edhe pikëpyetje nëse këto bisedime mund të vazhdojnë fare.
“Mendoj që është pak herët të konsiderohet që mund të rifillojë dialogu, e para duhet të përfundojnë hetimet dhe rrjedhimisht duhet të ketë edhe një opinion të KFOR-it sepse ne e kemi edhe marrëveshjen e Kumanovës e cila është nënshkruar dhe si GLPS konsiderojmë që të paktën neni 2 është shkelur, por këtë si instancë e fundit e vlerëson vet komandanti i KFOR-it. Pas kësaj duhet të shohim se si do të trajtohet Serbia si palë e dialogut së pari”, thotë zonja Loxha.
Miodrag Miliçeviç nga organizata joqeveritare AKTIV me seli në veri të Mitrovicës, mbështet procesin e ndriçimit të ngjarjeve në veri, ndërsa vlerëson se palët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve sa më parë.
“Na duhet vazhdimi i procesit të dialogut pavarësisht gjithçkaje. Në përvojën botërore qindra vjeçare udhëheqësit negociojnë edhe në kohëra lufte dhe kriza shumë më të këqija se kjo. Kështu që kemi nevojë për dialog më shumë se kurrë. Në të kundërtën dyshoj se do të mund të shohim ndonjë qëndrueshmëri nëse ata ende tregojnë paaftësi për t’u ulur në tryezë për të diskutuar çdo çështje, pa marrë parasysh sa e vështirë është”, thotë zoti Miliçeviç.
Ai shpreh shqetësimin se situata e krijuar në veri do të përkeqësojë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Megjithatë ai beson se përleshjet e së dielës janë një incident i izoluar.
“Në këtë periudhë kohore të dyja palët duhet të qëndrojnë të qeta, të mos përdorin retorikë të ashpër, nxitëse dhe negative. Kjo duhet të ndodhë patjetër nëse duam të shohim vazhdimësi të procesit. Unë e shoh këtë si një incident të izoluar që nuk do të përsëritet më nga askush dhe ne duhet vërtetë të mbështetemi në dialog e të bindim të dyja palët të arrijnë një marrëveshje në të mirë të të gjithëve”, thekson zoti Miliçeviç.
Zonja Loxha ndërkaq thotë se nëse hetimi konfirmon përfshirjen e Serbisë në sulm, bashkësia ndërkombëtare duhet ta sanksionojë atë në mënyrë që të sigurohet mospërsëritja e ngjarjeve të tilla.
“Kosova është sanksionuar për diçka shumëfish më të vogël dhe më e pakta që mund të presim nëse edhe konfirmohet përfshirja e qeverisë serbe është të ketë sanksione nga bashkësia ndërkombëtare karshi Serbisë dhe të kushtëzohet me llogaridhënie dhe me garanci që një gjë e tillë nuk do të ndodhë asnjëherë në të ardhmen sepse në qoftë se nuk kemi garanci dhe në qoftë se gjinden edhe raste të tjera apo lokacione të tjera me rrezik të ngjashëm atëherë ku është ideja të ulemi në tavolinën e dialogut?”, thotë zonja Loxha.
Sulmi i së dielës ndaj policisë së Kosovës ndodhi në një periudhë përpjekjesh të vështira për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë - Serbi, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim.
Bashkimi Evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndërmjetësoi në muajin shkurt në Bruksel dhe më pas në muajin mars në Ohër një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por nuk pati asnjë hap domethënës për zbatimin e saj.