Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Kina bien dakord për bisedime mbi kontrollin e eksporteve


Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo duke folur në një konferencë shtypi në Pekin, Kinë, 28 gusht 2023
Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo duke folur në një konferencë shtypi në Pekin, Kinë, 28 gusht 2023

Pekin- Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo tha se ajo dhe homologu i saj kinez ranë dakord të hënën të shkëmbejnë informacione mbi kontrollet e eksporteve të SHBA-së që shqetësojnë Pekinin dhe të krijojnë një grup për të diskutuar çështje të tjera tregtare, por asnjëra palë nuk dukej e gatshme të bënte lëshime për mosmarrëveshjet që kanë dobësuar marrëdhëniet mes dy vendeve duke i çuar në nivelin më të ulët në dekada.

Zonja Raimondo ndodhet në Kinë, për një vizitë tre ditore, për të zhvilluar takime me zyrtarë dhe përfaqësues të biznesit.

Ajo iu bashkohet kështu zyrtarëve amerikanë, përfshirë Sekretaren e Thesarit, Janet Yellen e cila vizitoi Kinën në korrik, të cilët kanë mbajtur takime në Pekin me shpresën për të përmirësuar marrëdhëniet e ftohta mes vendeve. Zyrtarët janë shprehur optimit për përmirësimin e komunikimit, por nuk kanë shfaqur përparim në konfliktet mbi teknologjinë, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe betejën e vazhdueshme mbi tarifat.

Nga ana e saj, qeveria e udhëheqësit kinez Xi Jinping dëshiron të ringjallë interesin e investitorëve të huaj në Kinë, ndërsa ajo përpiqet të rimëkëmbet nga një rënie e thellë ekonomike.

Sekretarja Raimondo tha se ajo dhe ministri i Tregtisë Wang Wentao ranë dakord gjatë një takimi katër orësh për të nisur një "shkëmbim informacioni" mbi kontrollet e eksportit. Ajo tha se do të ngrihet një "grup pune" me zyrtarë dhe përfaqësues të sektorit privat për të "gjetur zgjidhje për çështjet e tregtisë dhe investimeve".

Një prej ankesave kryesore të Kinës lidhet me kufizimet në qasjen ndaj pajisjeve të përparuara për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe teknologjive të tjera amerikane, për arsye sigurie, që kërcënojnë të pengojnë ambicien e Partisë Komuniste në pushtet për të zhvilluar inteligjencën artificiale dhe industri të tjera. Kufizimet goditën rëndë biznesin e telefonave inteligjentë të Huawei Technologies Ltd., marka e parë botërore e teknologjisë kineze.

Sekretarja Raimondo tha se grupi për shkëmbimin e informacionit do të mbajë takimin e parë të martën.

"Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të jenë transparente në lidhje me strategjinë e zbatimit të kontrollit të eksporteve," u tha zonja Raimondo gazetarëve në rezidencën zyrtare të ambasadorit Nicholas Burns.

"Ne nuk po bëjmë kompromis apo bisedime mbi çështjet e sigurisë kombëtare," tha ajo. "Qëllimi i këtij dialogu është të rrisë transparencën".

Më herët, ministri i Tregtisë së Kinës, Wang Wentao i tha sekretares Raimondo se Pekini është i gatshëm për të "nxitur politika më të favorshme për forcimin e bashkëpunimit" dhe "të forconte tregtinë dhe investimet dypalëshe". Zoti Wang nuk dha detaje për nismat e mundshme.

Pekini ndërpreu dialogun me Uashingtonin për çështjet ushtarake, klimatike dhe çështje të tjera në gusht 2022 si hakmarrje për një vizitë në Tajvan të kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kina pretendon sovranitet mbi ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit dhe kundërshton që qeveritë e huaja të kenë kontakt me të.

Vizitat zhvillohen bazuar në një marrëveshje mes udhëheqësit kinez Xi dhe presidenti Joe Biden gjatë një takimi nëntorin e kaluar në Indonezi. Agjencitë shtetërore të lajmeve në Kinë kanë njoftuar në mënyrë pozitive mbi vizitat, por Pekini nuk ka dhënë asnjë sinjal se mund të ndryshojë strategjinë, qasjen ndaj tregut dhe politika të tjera që shqetësojnë Uashingtonin dhe fqinjët e tij aziatikë.

Në qershor, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me udhëheqësin Xi për 30 minuta gjatë një vizite që u shty nga shkurti pasi një balonë kineze e dyshuar për spiunazh hyri në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësi kinez i bëri thirrje Uashingtonit të ndryshojë politikat për Tajvanin dhe çështje të tjera dhe hodhi poshtë një kërkesë për të rifilluar bashkëpunimin mes ushtrive.

Javën e kaluar, në ditën kur u njoftua vizita e sekretares Raimondo në Pekin, Uashingtoni hoqi 27 kompani kineze nga një listë e zezë që kufizon qasjen ndaj teknologjisë amerikane.

“Vendimi mund të ketë ndihmuar në lehtësimin e vizitës së zonjës Raimondo”, shkruanin në një raport të Grupit të Euroazisë, Anna Ashton dhe Kylie Milliken.

"Sugjeron që Uashingtoni po bën përparim modest, por të matshëm me Pekinin në rivendosjen e komunikimit të kufizuar mes dy qeverive," shkruajnë Ashton dhe Milliken. "Vizita e sekretares Raimondo mund të shtojë përparimin".

Gjatë takimit me ministrin Wang, sekretarja Raimondo mbrojti strategjinë e administratës së Presidentit Biden, për të rritur prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe mallrave të tjera të teknologjisë së lartë në Shtetet e Bashkuara dhe për të krijuar burime shtesë të zinxhirit furnizues. Pekini e ka kritikuar këtë si një përpjekje për të izoluar Kinën dhe për të penguar zhvillimin e saj.

“Nuk ka për qëllim të pengojë përparimin ekonomik të Kinës. Ne besojmë se një ekonomi e fortë kineze është një gjë e mirë”, i tha sekretarja Raimondo ministrit kinez. “Ne kërkojmë konkurrencë të shëndetshme me Kinën. Rritja ekonomike e Kinës, në përputhje me rregullat, është në interes të përbashkët.”

Ministri Wang vizitoi Uashingtonin në maj. Qeveria amerikane ka ftuar për një vizitë në Uashington ministrin e Jashtëm Wang Yi, por deri tani nuk ka njoftime lidhur me një udhëtim të mundshëm.

Sekretarja Raimondo do të takohet dhe me kryeministrin Li Qiang dhe zyrtarë të tjerë të Kinës.

Administrata Biden ka ndërmarrë gjithashtu hapa që ka të ngjarë të zemërojnë Pekinin.

Në qershor, Presidenti Biden shtoi 59 kompani kineze, duke përfshirë kontraktorët ushtarakë dhe prodhuesit e gjysmëpërçuesve në listën e subjekteve ku amerikanëve u ndalohet të investojnë.

Javën e kaluar, Uashingtoni miratoi shitjen e armëve me vlerë prej 500 milionë dollarësh për Tajvanin, duke përfshirë sistemet e gjurmimit infra të kuqe për avionët e avancuar luftarakë F-16.

XS
SM
MD
LG