Lidhje

Trump kërkon që SHBA të dominojë industrinë e inteligjencës artificiale


Kompani të ndryshme të inteligjencës artificiale janë në konkurrencë për të krijuar teknologjinë e së ardhmes. Ndërsa përhapet popullariteti i programeve si ChatGPT, agjencitë rregullatore amerikane nuk kanë mbajtur të njëjtin ritëm me zhvillimin e teknologjisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, administrata e ardhshme amerikane kërkon që Shtetet e Bashkuara të dominojnë industrinë e inteligjencës artificiale pavarësisht rreziqeve që mund të paraqesë kjo teknologji.

Trump kërkon që SHBA të dominojë industrinë e inteligjencës artificiale
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:23 0:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe shefi i kompanisë Softbank, Masayoshi Son, bënë një njoftim të rëndësishëm.

“Jam i emocionuar të njoftoj se Softbank do të investojë 100 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara duke krijuar të paktën 100,000 vende pune për amerikanët. Kjo do të ndihmojë që inteligjenca artificiale, teknologjitë në zhvillim dhe industritë e së ardhmes të krijohen, ndërtohen dhe zhvillohen në Shtetet e Bashkuara”, tha Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

Novacionet në fushën e inteligjencës artificiale po ecin me një ritëm të shpejtë, të nxitura pjesërisht nga popullariteti i programeve të tilla si ChatGPT, të cilat janë trajnuar duke përdorur sasitë e mëdha të të dhënave me tekst për të prodhuar një përmbajtje të re.

Por aftësitë e kësaj teknologjie, në dukje të pakufizuara, shtrojnë pikëpyetje për normat rregullatore dhe sigurinë.

Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin e së drejtës dhe etikës në Fakultetin e Biznesit Wharton të Universitetit të Pensilvanisë,

“Administrata e Presidentit Trump ka qenë shumë e qartë se dëshiron të eliminojë shumë nga rregulloret e vëna nga administrata e Presidentit Biden për inteligjencën artificiale. Duke thënë se do t’i heqin prangat kësaj teknologjie për të fituar lutën kundër Kinës në këtë fushë dhe për të udhëhequr botën”.

Gjatë një takimi për inteligjencën artificiale në Nju Jork, të pranishmit shprehën entuziazëm për të ardhmen e teknologjisë, por edhe dëshirën për politika dhe standarde që do të ndihmojnë në zbutjen e dëmeve të mundshme nga ajo.

“Kompanitë duan të kuptojnë se si të shmangin problemet në rastet kur teknologjia është e njëanshme dhe nuk funksionin siç është parashikuar”, thotë profesori Werbach.

Sipërmarrësja Jaye Watts vë në dukje thirrjet për transparencë si nga krijuesit ashtu edhe nga kompanitë si Valve, që njihet për zhvillimin dhe shpërndarjen e lojërave elektronike.

“Kompanitë po detyrohen të thonë se si po e përdorin inteligjencën artificiale, ndryshe nga sa e përdornin më parë, duke i marrë burimet diku dhe në disa raste duke shkelur të drejtat e dikujt”.

Sigurimi i trajnimit të modeleve të inteligjencës artificiale me të dhëna cilësore është ideal, por zhvilluesit nuk kanë gjithmonë qasje tek të dhëna të tilla. Oshin Anand është me firmën “Sahaj”.

“Kur përdor një variant të trajnuar paraprakisht të një modeli me kapacitet të lartë, madje edhe nëse bën përmirësime, nuk ke kontroll mbi sasinë masive të të dhënave nga të cilat është trajnuar. Mund të ketë përmirësime, por nuk ka koncept për ta zhbërë atë proces”.

Ekspertët sugjerojnë përfshirjen e matjeve dhe standardeve për të vlerësuar produktivitetin e një programi të inteligjencës artificiale, çka shpresojnë të nxisë biznesin.

“Kështu mund të përparohet dhe të krijohet besimi”, thotë Oshin Anand me firmën Sahaj.

Të tjerët druhen se një qasje e ashpër rregullatore mund të dëmtojë novacionet dhe konkurrencën.

Jiajun Lu është themeluesi i firmës Akool, e cila prodhon video dhe audio duke përdorur inteligjencën artificiale.

“Nëse disa vende janë më agresive për rregullat dhe disa jo, atëherë kompanitë do zhvendosen në ato vende. Inteligjenca artificiale është një fushë ku çdo vend kërkon të korr fitore, ndaj vendet do t’i harmonizojnë rregulloret e tyre”.

Ndërsa inteligjenca artificiale shënon përparime, inteligjenca njerëzore duhet të përcaktojë ekuilibrin e duhur mes novacioneve dhe rendit.

XS
SM
MD
LG