Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje të premten komunitetit ndërkombëtarë të dënojë veprimet e Serbisë, duke e akuzuar atë për trysni ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.
Presidentja Osmani tha se ka arritur ne shtatë numri i pjesëtarëve të policisë që kanë dhënë dorëheqje gjatë ditëve të fundit.
“Ka tashmë informata të konfirmuara sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi i tyre, shantazhimi e kërcënimet në raport me ta vijnë drejtpërdrejt nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi. Ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’i bëjë trysni qytetarëve serbë të cilët janë pro integrimit e pro bashkëpunimit”, tha presidentja Osmani.
Ende nuk ka ndonjë konfirmim nga policia e Kosovës për dorëheqjet e pjesëtarëve të rinj të policisë, pjesë e një grupi prej 46 pjesëtarëve nga radhët e komunitetit serb, të cilët filluan punën në muajin korrik.
Emrat e disa prej tyre janë përmendur në rrjetet sociale në gjuhën serbe dhe janë sulmuar për përfshirje në radhët e policisë së Kosovës, prej nga në nëntor të vitit të kaluar janë larguar disa qindra policë serbë.
Diplomatët perëndimorë në Kosovë u shprehën të shqetësuar të enjten me njoftimet për dorëheqjen e policëve të komunitetit serb.
Presidentja Osmani i bëri thirrje sot komunitetit ndërkombëtarë të dënojë veprimet e Serbisë.
“Nuk ka asnjë pikëpyetje se prej nga po vjen kjo trysni dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë shumë mirë sepse ma kanë konfirmuar mua në çdo takim që trysnia ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj. Prandaj presim që edhe dënimi i këtyre akteve të jetë së bashku me dënimin e autorëve të këtyre akteve, autori është në Beograd”, tha ajo duke theksuar se veprimet e tilla paraqesin shkelje të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Veprimet e tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit të cilat kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve pra varësisht nga kompozicioni etnik i komunave dhe unë pres nga Bashkimi Evropian që të ndërmarr masa ndaj Serbisë dhe presidentit (Aleksandër) Vuçiç për këtë shkelje të marrëveshjeve të Brukselit dhe do të thoja edhe shkeljeve të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha presidentja Osmani.
Ministri për Komunitete dhe Kthim nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiç, tha në një postim në rrjetet sociale të premten se policët e dorëhequr e nisën dhe mbaruan karrierën e tyre me “shënjestrim, fyerje, nënçmim e kërcënime ndaj tyre por edhe familjarëve të tyre”.
“Fatkeqësisht ndoshta nuk ka asnjë serb në Kosovë që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga forca e padukshme malore që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur, me metodat e saj shkatërruese”, shkroi ministri Rashiç.
Pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës të cilat u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.