Një vit pas miratimit të ligjit për uljen e inflacionit, Presidenti Joe Biden shkoi në Viskonsin për të folur mbi suksesin e politikave të tij ekonomike. Por, pavarësisht fitoreve legjislative dhe përmirësimit të treguesve ekonomikë, mbështetja për Presidentin Biden në sondazhe lidhur me politikat e tij ekonomike vazhdon të jetë e ulët.
Çmimet janë ende të larta në supermarketet amerikane, por inflacioni është më i ulët se vitin e kaluar. Papunësia është në një nivel të ulët prej 3.5 për qind dhe pagat po rriten.
Presidenti Joe Biden thotë se përmirësimet kanë ardhur si pasojë e politikave të tij ekonomike.
“Kemi ekonominë më të fortë në botë. Kënaqësia në vendin e punës ka arritur në nivelin më të lartë në 36 vjet. Ne kemi nivelin më të ulët të inflacionit krahasuar me ekonomitë e tjera të mëdha të botës.”
Megjithatë, shumica e amerikanëve thjesht nuk e shohin këtë. Sipas sondazhit të fundit të organizatës Ipsos, 56 për qind e amerikanëve nuk e mbështesin mënyrën se si Presidenti Biden e ka trajtuar ekonominë.
69 përqind, duke përfshirë më shumë se gjysmën e demokratëve, thonë se ekonomia është në gjendje më të keqe se pesë vjet më parë.
“Presidenti nuk është vërtet në gjendje të komunkojnë më mënyrë të qartë tek njerëzit disa fitore të mëdha legjislative, si ligji i reduktimit të inflacionit. Ka një shkëputje këtu”, thotë Mallory Newall nga organizata Ipsos.
Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve nuk janë në dijeni të ligjeve të ndryshme, që kanë patur si synim përmirësimin e ekonomisë, të cilët Preisdenti Biden i ka nënshkruar. Por ata janë të vetëdijshëm për inflacionin e lartë, që kanë përjetuar për më shumë se një vit, një çështje që ata thonë se është më urgjente për vendin.
Pavarësisht udhëtimeve të Presidentit Biden për të vënë në pah suksesin e politikave të tij ekonomike, ajo që ka më shumë rëndësi për amerikanët është se sa paguajnë për artikujt që ata blejnë.