Lidhje

SHBA: Lirimi i amerikanëve nga burgu iranian, hap pozitiv


Irani konfirmoi të enjten transferimin e katër të burgosurve amerikanë në arrest shtëpiak, në këmbim të miliarda dollarëve nga fondet e ngrira iraniane në Korenë e Jugut. Një tjetër shtetase amerikane, që ishte tranferuar më parë nga burgu në arrest shtëpiak, nuk është identifikuar.

Një avokat për të drejtat e njeriut, i identifikoi tre të burgosurit si Siamak Namazi, Emad Shargi dhe Morad Tahbaz. Ai tha se ata ishin transferuar nga burgu famëkeq Evin i Teheranit, në arrest shtëpiak, në një hotel, që nuk u identifikua, ku të burgosurit po mbahen nën mbikëqyrjen e autoriteteve iraniane. I arrestuari i katërt po ashtu nuk u identifikua.

Këtu në Uashington, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përshëndeti marrëveshjen.

“Ky është një hap pozitiv. Por, nuk dua të nxitoj para kohe, sepse ka ende shumë punë për të bërë, për t’i sjellë ata në shtëpi. Besoj që ky është fillimi i fundit të ankthit të tyre,” thotë Sekretari Blinken.

Zoti Blinken hodhi poshtë sugjerimet që marrëveshja do t’u jepte udhëheqësve të Teheranit ndonjë lehtësim nga sanksionet amerikane.

“Sido që të jetë, Irani nuk do të marrë lehtësim sanksionesh. Dhe sa herë që ne do të angazhohemi në përpjekje të tilla, për të sjellë në atdhe shtetasit amerikanë nga Irani, do të përdorim fondet e Iranit, duke i transferuar ato në llogari bankare që kanë kufizime, në mënyrë që fondet të përdoren vetëm për çështje humanitare, të cilat, siç e dini, lejohen sipas sanksioneve tona,” thotë ai.

Eksperti Jon Alterman e përshëndeti marrëveshjen dhe tha se mbetet optimist për mikun e tij, Siamak Namazi dhe shtetasit e tjerë amerikanë.

“E njoh zotin Siamak Namazi që nga vitet ’90. Jo vetëm që është njeri i mirë, por është njeri që ka punuar për një kohë të gjatë për të zbutur tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Fakti që shpërblimi i tij për këtë gjë, ishin tetë vite burg në burgun Evin, është tejet ironike. Fakti që zoti Namazi dhe amerikanët e tjerë, që me gjasë janë në proces për t’u liruar, së shpejti do të kthehen te familjet e tyre, më gëzon pa masë,” thotë zoti Alterman.

Megjithatë, një ekspert tjetër, Richard Goldberg, pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, që po ashtu përshëndeti lirimin e amerikanëve të mbajtur nën arrest, tha se shqetësohet se çfarë nënkupton për të ardhmen shembulli që vendoset me lëshimin e fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh, që mbahen në Korenë e Jugut.

“Pyetja që shtrohet është, si do të ndikojë imazhi që krijohet se po paguan për lirimin e amerikanëve? Kemi rastin e zotit Evan Gershkoviq, që tani mbahet peng nga Rusia. Çmimi për Evan Gershkoviq sapo u ngjit lart. Dhe tani kemi ligjin për spiunazh që Kina filloi ta zbatojë, për të cilin Departamenti amerikan i Shtetit u detyrua të lëshojë një paralajmërim për ata që udhëtojnë drejt Kinës, se mund të merren peng,” thotë zoti Goldberg.

Zoti Golberg iu referua gazetarit amerikan Gershkoviq, i cili po mbahet në arrest në Rusi mbi tre muaj, nën akuzat për spiunazh. Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ai po mbahet në arrest në mënyrë të jashtëligjshme dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

XS
SM
MD
LG