Lidhje

Edicioni i 22-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest


Axel Harferman, nga Berlini i Gjermanisë, para 15 vjetësh po shërbente si pjesë e forcave paqëruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Në vitin 2009 ai kishte vizituar për herë të parë festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest, në Prizren.

Zoti Harferman këto ditë po qëndron në Kosovë ku po viziton Dokufestin për herën e pesëmbëdhjetë me radhë.

“Është një vend shumë miqësor me numër të madh të filmave shumë tërheqës. Prandaj është gjithmonë kënqasi kur vij këtu”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ai thotë se mirëpritja e vizitorëve të huaj është ndër arsyet që e ka bërë të kthehet vazhdimisht në Dokufest.

Fillon festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

“Kjo është një atmosferë shumë shumë e hapur për të gjjthë ata që vijnë nga jashtë, nga Ballkani, nga Gjermania dhe nga pjesa tjetër e botës. Unë e shijoj në mënyrë të posaçme këtë atmosferë. Do t’u rekomandoja të gjithëve që të vijnë këtu dhe ta provojnë vet”, thotë ai.

Çdo vit, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër - Dokufest, i cili po mbahet këto ditë në Prizren, mbledh vizitorë nga shumë vende të botës duke e shndërruar atë gjatë verës në kryeqendrën kulturore të Kosovës.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se tema e këtij viti është inteligjenca artificiale.

“Deshtëm pak të sjellim në fokus një debat të gjerë që po ndodhë ngado nëpër botë për atë se a është ose sa është e dobishme dhe a është e sa është e dëmshme inteligjenca artificiale. Ky është synimi kryesor se përse kemi vendosur për një temë të pazakontë ndoshta për Dokufest por ishte një gjë që na ka preokupuar dhe mendoj që mund të jetë interesante”, tha ai.

Rreth tre mijë e 500 filma nga një qind e 11 shtete të ndryshme kanë aplikuar për të qenë pjesë e edicionit të 22-të të Dokufestit.

“I kemi përzgjedhur një qind e pesë filma në tetë kategori garuese dhe rreth një qind filma të tjerë në programe që i kemi kuruar dhe poashtu rreth 40 apo 50 filma që janë kuruar në bashkëpunim me festivale të tjera si nga Kanadaja, Franca, Gjermania”, tha zoti Nurkollari.

Drejtori i festivalit, Eroll Bilibani, thotë se përpos filmave, festivali këtë vit ka zgjeruar edhe programin e muzikës.

“Për dallim nga viti i kaluar kur kemi pasur disa performanca dhe muzikë vetëm në fundjavë, këtë vit kthehemi me plotë nëntë ditë të performancave edhe të koncerteve të ndryshme”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Pak pas përfundimit të luftës në Kosovë, festivali kishte filluar si një përpjekje për të funksionalizuar një kinema në qytetin e Prizrenit. Në atë kohë, organizatorët thonë se mezi kishin mbledhur 20 filma të shkurtër dokumentar. Ndërsa përgjatë viteve festivali përveç shtimit të pjesëmarrjes, sipas organizatorëve, po luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në ringjalljen e jetës kulturore në Kosovë, por edhe në shkëmbimin kulturor me shumë vende gjithandej botës.

XS
SM
MD
LG