Lidhje

“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, mbyllen hetimet për Belerin


Selia e Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme
Selia e Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme

Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, njoftoi se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, nën akuzën e "korrupsionit aktiv në zgjedhje". Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit nën dyshimet për shitblerje të votave. Megjithatë, ai mundi të dilte fitues, me një diferencë shumë të ngushtë votash.

Prokuroria shpjegoi se ka analizuar një sërë provash dhe të dhënash të përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, si dhe nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale dhe se “rezulton e provuar tej çdo dyshimi” se ai ka ofruar para në këmbim të votive për kandidaturën e tij. Prokuroria e Posaçme, shpjegon se “Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro”.

Zoti Beleri, sipas Prokurorisë, i ka dhënë paratë, përmes Pandeli Kokaveshit, “i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit”.

Ky i fundit, i ka mohuar akuzat dhe tentoi në të gjitha shkallët e drejtësisë ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg, por pa sukses. Po ashtu, muajin e kaluar, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, kërkoi nga gjykata një leje të posaçme që të merte pjesë në mbledhjen e kostituimit të Këshillit Bashkiak, ku ai do të duhej të bënte betimin. Por dhe kjo kërkesë e tij u refuzua. Nga pikëpamja ligjore, situata e zotit Beleri mbetet e paqartë. Ligji parashikon mes të tjerash, se mandati i kryetarit të Bashkisë përfundon kur ai “nuk pranon të bëjë betimin”. Ndërkohë që në këtë rast, situata është tërësisht e ndryshme, pasi ai ndodhet në kushtet kur nuk mund ta bëjë atë.

Rasti i tij çoi në përplasje të forta mes Athinës dhe Tiranës. Autoritetet greke i kujtuan disa herë Shqipërisë se rruga e integrimit europian të saj kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicave. Autoritetet shqiptare nga ana e tyre, këmbëngulën se rasti në fjalë ishte thjesht një çështje e sistemit të Drejtësisë dhe se gjithkush duhet të priste verdiktin e saj.

XS
SM
MD
LG