Lidhje

Beleri mbetet në burg, Dendias takon Xhaçkën në Bruksel


Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit rikonfirmoi sot masën e arrestit me burg për Fredi Belerin, i akuzuar për shitblerje të votës, në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku ai doli fitues në garën për kryetarin e Bashkisë së Himarës. Rasti i tij ishte sot objekt i një bisede që ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pati në Bruksel me homologun e saj grek Nikos Dendias. Greqia ka ngritur zërin rreth kësaj çështjeje, duke folur për shkelje të të drejtave të minoritetit grek, e duke paralajmëruar pasoja ndaj Shqipërisë në rrugëtimit e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin europian, ndërkohë që për Tiranën është thjesht një proces penal ndaj një qytetari shqiptar.

Gjykata e Posaçme lë në arrest me burg Fredi Belerin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Pasi Prokuroria dhe Gjykata e Vlorës e kaloi çështjen për kompetencë pranë SPAK-ut, rasti i kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri, përfaqësuesi i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, u trajtua sërish sot në Gjykatën e Posaçme.

Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit, ku ai doli më pas fitues, nën akuzën e blerjes së votave që do të shkonin për të. Prokuroria e Vlorës, nisi hetimin ndaj tij pas disa sinjalizimeve nga policia dhe denoncimit të një banori të Himarës, i cili pranoi që të shërbente si i inflitruar, për të dokumentuar blerjet e votave nga ana e kandidatit të opozitës. Sipas akteve gjyqësore, materiale video dhe audio nga përgjimet e kryera dëshmojnë se Beleri ka komunikuar me të inflitruarin për blerjen e 8 votave, ndërsa paratë u dhanë nga bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi, edhe ai i arrestuar.

Gjykata e Posaçme, pranoi sot kërkesën e Prokurorisë dhe rikonfirmoi masën e arrestit me burg për Belerin dhe Kokaveshin, ndonëse avokati i tij Edmond Dëma, hodhi poshtë pretendimet e akuzës: "Fredi Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga Gjykata, duke mos e pranuar dyshimin që është ngritur për të. Nesër, sipas vendimit që u dha, do të ushtrojmë të drejtën e ankimit në Apel".

Ndërsa në Tiranë, zhvillohej procesi, ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe homologu i saj grek Nikos Dendias, po bisedonin me njëri tjetrin pikërisht për këtë çështje në Bruksel, ku ndodheshin për të marrë pjesë në takimin mes shefave të diplomacisë së vendeve anëtare dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit perëndimorë.

E përfshirë dhe në fushatë zgjedhore, Greqia shprehu shqetësim në rritje për rastin e zotit Beleri, menjëherë pas arestimit, duke folur për skandal e duke kërkuar prova bindëse. Shqipërisë ju kujtua madje se anëtarësimi i saj për në Bashkimin europian kalon përmes respektimit të të drejtave të minoritetit.

Ministri Dendias e paralajmëroi që në mëngjes takimin sotëm me zonjën Xhaçka, ndërsa foli me gazetarët në Bruksel. "Do të përfitoj nga rasti të parashtoj qartazi çështjen e mbajtjes në burg të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës , zotit Beleri. Kam predispozicon të takohem menjëherë pas kësaj me kolegen shqiptare, besoj se ka për të qenë një bashkëbisedim veçanërisht interesant”, tha ai.

Pas takimit, disa orë më vonë, ai shpërndau një postim të shkurtër në Twitter ku njoftonte se ishte takuar me zonjën Xhaçka dhe se "çështja që lidhet me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, u ngrit gjatë diskutimit". Një formulim i thatë që linte të kuptohej qartë se nuk kishte marrë atë çka priste.

Nga ana e saj zonja Xhaçka ofroi më shumë të detaje rreth bisedës, veçanërisht mbi qëndrimin e palës shqiptare. Ndërsa e cilëson homologun e saj grek "një mik të mirë" ajo shpjegoi se e "kishte bërë të qartë se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që palët kanë hapur në marrëdhëniet dypalëshe".

Ministrja shqiptare shtoi më tej në postimin e saj në Twitter se “kjo nuk është as çështje e të drejtave të njeriut, as politike, e lëre më një çështje dypalëshe. Zoti Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar, dhe si çdo qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe çështja e tij tani është në gjykatë për t'u gjykuar”, shkruajti ajo duke vënë më pas në dukje se “e vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë procedimin”.

Por nga Athina, nuk vonoi reagimi pas vendimit të Gjykatës së Posçme shqiptare. "Zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit, tashmë i zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Himarës, ofendon ndjenjën e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës”, shkruhet në një deklaratë të ministrisë së Jashtme greke të shpërndarë pasdite, duke e mbajtur kështu ende të gjallë, tensionin mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG