Lidhje

Edhe Gjykata e Lartë refuzon zbutjen e masës së sigurisë. Beleri mbetet në burg


Fredi Beleri, kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë" për Bashkinë e Himarës
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë" për Bashkinë e Himarës

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë, rrëzoi të martën kërkesën e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, për heqjen e masës së sigurisë arrest me burg. Beleri, u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, nën dyshimet për shitblerje të votave. Megjithatë ai arriti të fitonte zgjedhjet me një diferencë të ngushtë ndaj kandidatit socialist Gjergj Goro, i cili kishte drejtuar Himarën për dy mandate. Përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), zoti Beleri u kandidua nga koalicioni opozitar i përbërë nga Partia e Lirisë së ish presidentit Ilir Meta dhe grupimi demokrat i udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ishte në të njejtën linjë me dy shkallët e tjera të gjyqësorit të cilat po ashtu kishin refuzuar ndryshimin e masës së sigurisë për zotin Beleri, i cili ka hedhur poshtë akuzat. Arrestimi i tij, u shoqërua me reagime të forta nga ana e autoriteteve në Greqi, nën efektet dhe të zgjedhjeve parlamentare në të cilat ishte përfshirë vendi fqinj. Qeveria dhe ministria e Jashtme greke i kujtuan disa herë Shqipërisë se rruga e integrimit europian të saj kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicave. Autoritetet shqiptare këmbëngulën se rasti në fjalë ishte thjesht një çështje e sistemit të Drejtësisë dhe se gjithkush duhet të priste verdiktin e saj. Në ndryshim nga herët e mëparshme ku pas çdo vendimi të gjykatave shqiptare për zotin Beleri, Athina reagonte me shqetësim, këtë herë, të paktën deri në mbrëmje, nuk pati asnjë koment.

Muajin e kaluar, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, kërkoi nga gjykata një leje të posaçme që të merte pjesë në mbledhjen e kostituimit të Këshillit Bashkiak, ku ai do të duhej të bënte betimin. Por dhe kjo kërkesë e tij u refuzua. Nga pikëpamja ligjore, situata e zotit Beleri mbetet e paqartë. Ligji parashikon mes të tjerash, se mandati i kryetarit të Bashkisë përfundon kur ai “nuk pranon të bëjë betimin”. Ndërkohë që në këtë rast, situata është tërësisht e ndryshme, pasi ai ndodhet në kushtet kur nuk mund ta bëjë atë.

XS
SM
MD
LG