Lidhje

AAK diskuton me përfaqësues të mediave e shoqërisë civile mbi krizën në veri të Kosovës


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi të enjten qeverinë e Kosovës për ikje nga përgjegjësia rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe pëdorim metodash veprimi që çuan në sanksione ndaj vendit.

AAK diskuton me përfaqësues të mediave e shoqërisë civile mbi krizën në veri të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të mediave e shoqërisë civile, për të diskutuar mbi qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë.

“Për ne (marreveshja) është një mundësi të hiqemi nga harta e pasigurisë, krizave dhe tensioneve, për të filluar marrëdhëniet kontraktuale me NATO-n, e pastaj këto marrëdhënie kontraktuale të fazës së parë lehtësojnë procese të tjera si integrimin në Bashkimin Evropian, proceset e njohjeve, proceset e anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Atë që ka ndodhur së fundmi ne e shohim si ikje nga përgjegjësia e qeverisë sonë, e kryeministrit, si dhe ikje nga marrëveshja e rikthim në metoda që na sollën deri te sanksionet”, tha zoti Haradinaj.

Takimi i organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pjesë e veprimeve që opozita ka paralajmëruar për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri. Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç u takuan të mërkurën ndaras në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për të diskutuar uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Lajcak tha pas takimeve se diskutime të tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, por pa dhënë më shumë hollësi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se ishte qëndrim i zotit Lajçak që të mos ketë takim trepalësh

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit (të Marrëveshjes Bazë) kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje të enjten Bashkimit Evropian të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se rajoni nuk mund të bëhet peng i një krize të pafundme ndërmjet këtyre dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se nuk duhet lejuar që as veriu i Kosovës të bëhet një Donbas i vogël për shkak të një ngritjeje të nxitur nga Rusia dhe as që dialogu të bëhet një lojë fajësimi për shkak të mungesës së një vullneti të vërtetë dhe të fortë të palëve të përfshira në të. “Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim përpara se të jetë tepër vonë”, shkroi ai.

Shtimi i tensioneve në veri të Kosovës ka shtuar edhe shqetësimet për ripërtëritje të konflikteve në rajon, në një periudhë kur kontinenti evropian po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha sot se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin zotimet e tyre për bashkëpunim dhe tejkalim të trashëgimisë të së kaluarës.

“Përparësia jonë tani është të arrijmë te shtensionimi duke gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri që ofron siguri për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Kemi pasur shumë dhunë në Evropë tashmë dhe nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër”, tha zoti Szunyog.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë ku u paraqitën disa gjetje e rekomandime për bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë. Pjesëmarrësit theksuan se marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqesin një ndër sfidat kryesore për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

XS
SM
MD
LG