Lidhje

Hollivud, aktorët i bashkohen grevës së skenaristëve


Aktori Jason Sudeikis duke iu bashkuar sot grevistëve (14 korrik 2023)
Aktori Jason Sudeikis duke iu bashkuar sot grevistëve (14 korrik 2023)

Aktorët e Hollivudit po u bashkohen skenaristëve në grevën e parë të dyfishtë nga të dy sindikatat në më shumë se gjashtë dekada, me pasoja të mëdha për industrinë e filmit dhe televizionit. Por çfarë ka ndodhur deri tani, cila është arsyeja e grevës dhe çfarë mund të pritet në vazhdim?

ÇFARË E SHKAKTOI GREVËN E AKTORËVE?

Pas më shumë se një muaji negociatash mes sindikatës së aktorëve dhe studiove, shërbimeve përmes internetit dhe kompanive të argëtimit, pati përparim të pakët dhe tonet e bisedimeve u ashpërsuan. Drejtuesit e sindikatave votuan për të nisur një grevë të premten. Ndërhyrja e minutës së fundit nga një ndërmjetës federal nuk e kapërceu hendekun.

Drejtuesit e sindikatës thonë se modeli i viteve të fundit, që përdor industria përmes platformave në internet, i ka zhvatur aktorët duke i kaluar fitimet që u takojnë atyre tek drejtuesit e lartë.

Madje shoqata AMPTP, që përfaqëson në negociata mbi 350 kompani amerikane filmash, platforma shërbimesh në internet dhe studio televizive, nuk trajtoi nevojat e tyre, thonë drejtuesit e sindikatës. Aktorja e famshme Fran Drescher, e cila drejton sindikatën, tha se kjo i bëri ata të ndiheshin sikur ishin mashtruar, sikur ndoshta ishte thjesht për t’ua mundësuar studiove që të reklamonin filmat e tyre të sezonit të verës.

Përpara se të fillonin bisedimet, 65,000 aktorë votuan me shumicë dërrmuese që udhëheqësit e sindikatave të shpallnin grevën, ashtu sikurse veproi sindikata e skenaristëve kur skadoi marrëveshja e tyre më shumë se dy muaj më parë.

ÇFARË DUAN AKTORËT?

Për dekada të tëra, një aktor i një seriali televiziv si "Seinfeld" apo "The Office" mund të paguhej sa herë që transmetohej episodi ku luante, duke siguruar të ardhura për ta edhe kur ishin të papunë. Modeli i trasmetimeve përmes platformave në internet i ka dhënë fund këtij burimi të ardhurash. Aktorët duan që përfitimet afatgjata të ndahen me ta. Kjo është një nga shumë të përbashkëtat që ndajnë aktorët me skenaristët. Ata thonë se inflacioni po i tejkalon rritjet e planifikuara në kontrata të pagës së tyre.

Skenaristët dhe aktorët i frikësohen përdorimit pa rregulla të përcaktuara të inteligjencës artificiale. Aktorët thonë se studiot e filmave dëshirojnë të përdorin shëmbëlltyrën e tyre, por pa u dashur t’i punësojnë ata vetë, apo edhe pa i paguar fare.

Aktorët thonë gjithashtu se po përballen edhe me barrën e shtuar të audicioneve të vetëregjistruara, kostoja e të cilave ishte dikur përgjegjësi e firmave të prodhimit dhe të aktrimit.

AMPTP-ja tha se u paraqiti aktorëve një kompromis bujar, që përfshinte rritjen më të madhe të pagës minimale në 35 vite, si dhe “një propozim të rëndësishëm për inteligjencën artificiale që mbron shëmbëlltyrën e aktorëve”. Ata thanë se “fatkeqësisht sindikata ka zgjedhur një drejtim që sjell vështirësi financiare për mijëra e mijëra individë që mbështeten tek ky sektor i ekonomisë”.

ÇFARË DO TË THOTË GREVA PËR AKTORËT?

Sipas rregullave të sindikatave, aktorët tashmë nuk duhet të bëjnë asnjë pjesë të punës së tyre, që shkon përtej thjesht xhirimit të filmave dhe serialeve televizive.

Atyre nuk u lejohet të shfaqen individualisht apo të reklamojnë punën e tyre në podkaste apo në premiera. Atyre u ndalohen të bëjnë çfarëdolloj pune që ka të bëjë me produksionin, përfshirë audicionet, provat, dublimin e zërave apo përshtatjen e veshjeve.

Të emëruarit për çmimet Emmy nuk mund të flasin për meritat e punës së tyre për të kërkuar që të votohen, dhe as nuk mund të shfaqen në ceremoninë e planifikuar për në shtator, por e cila duket se mund të shtyhet.

Prej tyre pritet që t’iu bashkohen grupeve të protestuesve përpara zyrave të kompanive dhe studiove të prodhimit të filmave.

Në mbështetje të grevës kanë folur aktorë të njohur si Matt Damon, Jamie Lee Curtis dhe Jessica Chastain, dhe ata pritet që të jenë edhe ndër pjesëmarrësit më të mirënjohur në grevë. Por, në sindikatën e aktorëve SAG marrin pjesë edhe dhjetëra mijëra aktorë që kanë vështirësi të gjejnëpunë dhe të ruajnë nivelin e të ardhurave. Për ta pritet të ketë vështirësi më të mëdha financiare.

ÇFARË EFEKTI DO TË KENË GREVAT TEK SHIKUESIT?

Bashkimi i aktorëve me grevën e skenaristëve do të rrezikojë pothuajse çdo film apo serial tjetër amerikan që kishte mbetur pa u mbyllur deri më tani. Sezonet e ardhshme të serialeve televizive ka gjasa të shtyhen pa afat, dhe po kështu edhe premierat e disa prej filmave. (Do të vazhdojë megjithatë kunkurrenca mes dy filmave më të ndjekur “Barbie” dhe “Oppenheimer”.)

Greva e skenaristëve pati një efekt pothuajse të menjëhershëm tek spektaklet televizive të mbrëmjes, si emisioni i kanalit NBC “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, i kanalit ABC “Jimmy Kimmel Live!”, dhe ai i kanalit CBS “The Late Show With Stephen Colbert”, të cilat u pezulluan menjëherë. Spektakli “Saturday Night Live” anulloi tre episodet e fundit të sezonit.

Gjatë këtyre dy muajve, shumë seriale televizive kanë ndërprerë xhirimet, përfshirë serialin “Stranger Things” në Netflix, serialin “Hacks” HBO Max, serialin “Yellow Jackets” në Showtime, dhe serialin “Severance” në Apple TV+.

Ndoshta do të duhet më shumë kohë për të vënë re efektet e grevës së aktorëve tek filmat në rrjetet Netflix apo Amazon Prime Video, megjithëse ndjekësve të serialeve origjinale të këtyre rrjeteve do t’u duhet rrjedhimisht të presin më gjatë për rikthimin e filmave të tyre të preferuar.

Mund të vazhdojnë megjithatë xhirimet jashtë Shteteve të Bashkuara, ku funksionojnë sindikata dhe kontrata të tjera, megjithëse greva mund të sjellë vonesa dytësore edhe për ta. I tillë mund të jetë rasti p.sh. për serialin e rrjetit HBO “House of the Dragon”.

Gjithashtu nuk pritet të ketë pasoja tek spektaklet dhe emisionet e paradites, si dhe ato të lojërave.

PËR SA KOHË MUND TË VAZHDOJË E GJITHË KJO SITUATË?

Askush nuk e di. Pas dy muajsh, nuk ka ende bisedime që po zhvillohen apo që janë planifikuar për t’u zhvilluar në të ardhmen me sindikatën e shkrimtarëve.

Greva më e gjatë e mëparshme e autorëve të teksteve, në vitin 1998, zgjati pesë muaj. Grevat e mbajtura më rishtazi, në vitin 2007 dhe 2008, zgjatën për rreth tre muaj, ashtu si edhe greva më e fundit e aktorëve në vitin 1980.

Të dyja sindikatat ishin hedhur së bashku në grevë për herë të fundit në vitin 1960. Ato përballen me probleme të ngjashme dhe mund të gjenden tashmë pa punë për një periudhë të gjatë.

XS
SM
MD
LG