Lidhje

Çështja Hunter Biden: Çfarë duhet ditur rreth hetimeve që republikanët po zhvillojnë në Kongres?


Hunter Biden duke biseduar me të ftuarit gjatë darkës së shtruar për kryeministrin e Indisë në Shtëpinë e Bardhë (22 qershor 2023)
Hunter Biden duke biseduar me të ftuarit gjatë darkës së shtruar për kryeministrin e Indisë në Shtëpinë e Bardhë (22 qershor 2023)

Republikanët, të cilët drejtojnë tre komisione kyçe të Dhomës së Përfaqësuesve, po bashkojnë forcat për të hetuar mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë ka trajtuar akuzat ndaj Hunter Biden-it. Republikanët pretendojnë për shkelje të ligjit nga ana e agjencisë.

Udhëheqësit e komisionit të Ligjeve, atij të Mbikëqyrjes, si dhe komisionit përgjegjës mbi çështjen e taksave, nisën një hetim të përbashkët mbi çështjen ndaj djalit të vogël të Presidentit Joe Biden. Ky zhvillim erdhi disa ditë pas njoftimit të bërë muajin e kaluar se Hunter Biden-i do të deklarohet fajtor për dy akuza federale që lidhen me mospagim të taksave, si pjesë e një marrëveshjeje me Departamentin e Drejtësisë.

Prej atij momenti, ligjvënësit Jim Jordan, James Comer dhe Jason Smith kanë lëshuar një sërë kërkesash për të siguruar dëshmi vullnetare nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme, apo agjencisë që menaxhon çështjen e taksave si pjesë e hetimeve bazuar në atë që ata pretendojnë, se ishte një sjellje jo e ligjshme nga ana e Departamentit të Drejtësisë. Republikanët kanë kërkuar gjithashtu që një prokuror i posaçëm të shqyrtojë pretendimet për veprimeve hakmarrëse kundër sinjalizuesve, që ngritën këto pretendime.

Hetimet nga Kongresi filluan pasi komisioni përgjegjës për Taksat i Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhiqet nga ligjvënësi republikan Smith, votoi muajin e kaluar për të bërë publike me qindra faqe dëshmi të punonjësve të agjencisë së Taksave, që ishin përfshirë në çështjen e Hunter Biden-it.

Jim Jordan, Kryetar i Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve
Jim Jordan, Kryetar i Komisionit për Gjyqësorin në Dhomën e Përfaqësuesve

Në intervistën e tij, Greg Shapley dhe një tjetër punonjës i agjencisë së Taksave, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, detajojnë atë që ata e quajtën, një model zvarritjeje të hetimeve dhe veprimeve të vonuara për zbatimin e ligjit, në muajt para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që u fituan nga demokrati Joe Biden.

Departamenti i Drejtësisë i ka hedhur poshtë pretendimet e tyre dhe ka thënë në mënyrë të përsëritur se Prokurori federal i Dellauerit, David Weiss, i cili drejtoi hetimin, kishte "autoritet të plotë" mbi çështjen.

Çfarë duhet ditur mbi hetimet në vazhdim

Në muajin prill, sinjalizuesi i parë i agjencisë së Taksave, Greg Shapley, doli përpara Kongresit. Ishte avokati i tij që kontaktoi me senatorin republikan Chuck Grassley, për t’i thënë se zoti Shapley kishte informacione në lidhje me një përpjekje për të zbutur konfliktet e qarta të interesit lidhur me çështjen në ngarkim të Hunter Biden-in, çështje që më pas, u kthye në një hetim penal.

Zoti Shapley u paraqit në fund të muajit maj për një intervistë disa orëshe para komisionit të Taksave të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai foli rreth pengesave që sipas tij, ai dhe disa agjentë të tjerë të agjencisë së Taksave, kishin hasur ndërsa përpiqeshin të intervistonin individë të caktuar lidhur me hetimet, apo mbi lëshimin e urdhrave për të kryer kontrolle.

Selia e agjencisë së taksave në Uashington
Selia e agjencisë së taksave në Uashington

Sinjalizuesit këmbëngulën se bëhej fjalë për një model ndërhyrjeje dhe trajtimi preferencial të çështjes Hunter Biden dhe nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje me eprorët e tyre, rreth hapave hetimorë që duheshin ndërmarrë. Departamenti i Drejtësisë ndjek prej kohësh një politikë sipas së cilës prokurorët që trajtojnë çështje me ngjyrime të mundshme politike, gjatë periudhave zgjedhore, duhet të shmangin çdo ndikim të mundshëm në rezultat.

Pretendimi më i diskutueshëm i sinjalizuesit është se zoti Weiss, i cili emërua nga ish-Presidenti Donald Trump dhe u mbajt në detyrë nga administrata e Presidentit Biden për të trajtuar çështjen, në mars të vitit 2022 i kishte kërkuar Departamentit të Drejtësisë, që t'i jepte statusin e prokurorit të posaçëm për ta trajtuar rastin kundër Hunter Biden-it në juridiksione jashtë Dellauerit, përfshirë Uashingtonin dhe Kaliforninë, gjë që i ishte mohuar.

Një sinjalizues i dytë i agjencisë së Taksave, i cili i kërkoi komisionit të mos e publikonte identitetin e tij, foli mbi atë që ai e quajti, zhgënjim i vazhdueshëm i tij mbi mënyrën se si ishte trajtuar rasti i Hunter Biden-it, që daton që nga administrata e ish-Presidentit Trump kur Prokuror i Përgjithshëm ishte William Barr. Ai tha se i kishte nisur hetimet ndaj Hunter Biden-it në vitin 2015 dhe se ishte futur thellë për të shqyrtuar jetën personale e financat e tij.

Hetimi i pretendimeve për veprime ndëshkimore

Të dy personat kanë dëshmuar se janë përballur me ndëshkime në agjencinë federale të Tatimeve, pasi shprehën shqetësimin e tyre lidhur me mënyrën se si ishte menazhuar rasti i Hunter Biden-it. Zoti Shapley, i cili kishte edhe funksione drejtuese, i tha komisionit se pasi kishte kontaktuar me ligjvënësit mbi këtë çështje, zoti Weiss kishte bllokuar ngritjen e tij në detyrë.

Sinjalizuesi i dytë, tha se e kishin larguar nga shqyrtimi i çështjes në të njëjtën kohë me zotin Shapley, i cili ishte eprori i tij. Megjithëse vendimin e pati mësuar nga zyrtarët e agjencisë së Tatim Taksave, ai mendon se heqja e tij nga çështja ishte urdhëruar realisht nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë. Asnjë prej sinjalizuesve nuk ofroi evidencë për t’i provuar këto deklarata, por cituan ndjesinë që kishin përjetuar brenda institucionit ndërsa kërkonin të nxisnin përpara hetimet.

James Comer, Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve
James Comer, Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve

Kryetarët republikanë të tre komisioneve, së bashku me Senatorët Grassley dhe Ron Johnson, i dërguan një letër Departamentit të Drejtësisë duke kërkuar një inspektim të menjëhershëm për këto pretendime.

“Nuk mund të mos lëmë pa theksuar rëndësinë e mbrojtjes së sinjalizuesve nga hakmarrja e paligjshme dhe informimin e sinjalizuesve për të drejtat që gëzojnë në bazë të ligjit. Në fund të fundit, ky është ligji”, shkruanin ligjvënësit.

Reagimi i Departamentit të Drejtësisë

Departamenti i Drejtësisë ka mohuar akuzat e sinjalizuesve, duke thënë se zoti Weiss pati “të gjithë autoritetin për këtë çështje, përfshirë përgjegjësinë për të vendosur sipas gjykimit të tij se ku, kur, dhe nëse duheshin ngritur akuza. Atij nuk i nevojitet miratim i mëtejshëm për të vepruar”.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland gjithashtu refuzoi pretendimet se zoti Weiss, pati kërkuar të emërohej prokuror i posaçëm.

Kryeprokurori Merrick Garland duke folur në Departamentin e Drejtësisë në Uashington
Kryeprokurori Merrick Garland duke folur në Departamentin e Drejtësisë në Uashington

“Personi i vetëm që ka autoritetin për ta bërë dikë prokuror të posaçëm, apo për ta refuzuar këtë, është prokurori i përgjithshëm”, u tha zoti Garland gazetarëve muajin e kaluar. Ai shtoi se “zoti Weiss nuk e kishte bërë kurrë një kërkesë të tillë”.

Në një letër të datës 30 qershor, zoti Weiss gjithashtu i mohoi më tej pretendimet duke u thënë ligjvënësve republikanë se Departamenti i Drejtësisë “nuk u hakmorr” ndaj zotit Shapley. Ai gjithashtu tha se kishte marrë garanci nga departamenti se nëse do të ngrinte akuza ndaj Hunter Biden-it, në një tjetër juridiksion dhe jo në Dellauer, atëherë do t’i jepej status i posaçëm për këtë qëllim. Përgjithësisht, prokurorët amerikanë janë të kufizuar brenda juridiksionit të tyre për ngritjen e akuzave penale.

Hapat e mëtejshëm

Tre kryetarët republikanë kanë vendosur afat deri të enjten që departamenti të fillojë të përgatisë personat që do të intervistohen, gati dymbëdhjetë vetë. Ata kanë thënë se nëse departamenti nuk i përgjigjen kërkesës në kohë, atëherë do t’u duhet të lëshojnë fletëporosi nga Kongresi për ta detyruar atë që të bashkëpunojë.

Zoti Weiss shprehet në letrën e tij se do të ishte i gatshëm të diskutonte për këto tema me zyrtarët e Kongresit, por përsëriti se nuk mundet të japë informacion për çështjen e Hunter Biden-it pasi është ende një hetim penal në vazhdim.

Zoti Garland ka thënë publikisht se nuk do ta ndalojë zotin Weiss që të dëshmojë në Kongres. “Do ta mbështesja zotin Weiss që të shpjegonte apo dëshmonte për këto çështje, kur ai gjykojë të përshtatshme”, tha prokurori i përgjithshëm.

XS
SM
MD
LG