Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi të mërkuren qeverinë e Kosovës duke thënë se po ndjek rrugë të gabuar lidhur me veprimet për situatën në veri të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me një numër opinionistësh e gazetarësh, ku u diskutua mbi një plan të Lidhjes Demokratike për dalje nga kriza aktuale në veri.
“Sot e kemi nisur një ide se si duhet të dilet nga kjo krizë, duke përfshirë krizën e sigurisë në veri, çështjet e obligimeve ndërkombëtare dhe në fund ankorimin e Kosovës në familjen euroatlantike”, tha ai.
Zoti Abdixhiku tha se takime të ngjashme do të vazhdojnë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile e të biznesit si dhe presidenten Vjosa Osmani.
“Gjendja e tanishme është e rëndë, e zymtë, e paprecedent për Kosovën. LDK-ja si forca më e vjetër politike nuk mund të qëndrojë duarkryq në këtë përballje prandaj kërkon edhe mobilizim më të madh përtej vetes, përtej politik, për të gjetur rrugën e drejtë dhe të vërtetë të Kosovës në këtë moment tensionues dhe të rëndë”, tha zoti Abdixhiku.
Nisma e Lidhjes Demokratike të Kosovës është një ndër hapat që opozita në Kosovë ka paralajmëruar se do t’i ndërmarrë për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri.
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se që nga e hëna ka shkëputur çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, ndërsa ka bërë thirrje për organizim të zgjedhjeve të parakohshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkaq sërish ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive politike në Kosovë për shkarkimin e kryeministrit Kurti.
Zoti Abdixhiku tha sot se se tregues i krizës në të cilën ndodhet Kosova me aleatët janë edhe diskutimet për refuzim të takimeve dypalëshe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se nuk do ta pres kryeministrin Rama në takim dypalësh në Prishtinë nëse nuk mbahet fillimisht mbledhja e përbashkët e qeverive, që u anulua nga kryeministri Rama në muajin qershor.
Kryeministri Rama pritet të qëndrojë në Kosovë këtë javë në kuadër të një vizite në rajon e cila siç është thënë ka për qëllim përgatitjen e takimit të radhës të procesit të Berlinit që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.
“Shumë mirë që po bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo ndërsa i bëjmë këto përgatitje kaq herët të mos vonohemi edhe më tutje me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive. Andaj për mua është e nevojshme që të kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama këmbëngul në anulimin e mbledhjes së dy qeverive atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam dhënë”, tha kryeministri Kurti.
Njoftimin për anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kryeministri Rama e pati bërë një ditë para se të nisnin punimet e saj, duke nxitur edhe reagimin e qeverisë së Kosovës e cila ka theksuar se kjo është hera e parë që një mbledhje e tillë anulohet në mënyrë të njëanshme.
Kryeministri Rama tha atë kohë se mbledhja e përbashkët nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar për shkak të kushteve të reja që ka krijuar kriza e Kosovës në marrëdhëniet e saj me aleatët perëndimorë, pas tensioneve në veri të vendit.
Ai nuk pranoi të komentonte sot mbi qëndrimin e kryeministrit Kurti, për çka tha se do të flasë nesër gjatë vizitës në Prishtinë.