Lidhje

SHBA, Komisioni Zgjedhor nuk vepron ndaj “deepfakes” që përdoren në reklamat zgjedhore


Komisioni që mbikëqyr rregullat për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara nuk po merr masa lidhur me përdorimin në reklamat zgjedhore të videove, apo fotografive të rreme të krijuara përmes inteligjencës artificiale. Në Shtetet e Bashkuara vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

SHBA, Komisioni Zgjedhor nuk vepron ndaj “deepfakes”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Kjo është një reklamë politike e ekipit elektoral të kandidatit republikan Ron DeSantis, për të cilën ekspertët thonë se përfshin imazhe të rreme që tregojnë ish-Presidentin Donald Trump duke përqafuar ish-këshilltarin e tij kryesor për shëndetësinë, Dr. Anthony Fauci.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, po kandidon përballë zotit Trump në garën për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Imazhet u analizuan nga emisioni "Verify" i cili zbulon raste dezinformimesh. Ata u përpoqën të identifikonte imazhet e reklamës dhe gjetën se tre prej tyre ishin të rreme.

“Po të shikosh me imtësi vëren se fotot janë krijuar nga inteligjenca artificiale. Imazhi tregon dy individë përpara logos së Shtëpisë së Bardhë në zyrën e konferencave të shtypit. Por në të shkruhet ‘Mephap’ në vend që të thotë Shtëpia e Bardhë. Inteligjenca artificiale ka vështirësi në disa raste që të prodhojë tekst të saktë. Në foton tjetër zotit Trump i mungon gishti i madh”, thotë gazetari i emisionit Verify, Casey Decker.

Ndërsa rriten kapacitet e inteligjencës artificiale, gjithashtu po shtohen edhe imazhet e rreme që synojnë të ndikojnë tek votuesit, thotë Lisa Gilbert me organizatën jofitimprurëse për mbrojtjen e konsumatorëve “Public Citizen”.

“Një nga gjërat që është në gjendje të bëjë inteligjenca artificiale është krijimi i videove, ose zërave tejet të rreme, që duken shumë reale, dhe është e pamundur të dallohen nga syri i njeriut krahasuar me një video të vërtetë”.

Organizata “Public Citizen” i kërkoi Komisionit Federal të Zgjedhjeve, që të vendosë rregulla për reklamat e fushatës që përdorin imazhe të rreme të krijuara përmes kompjuterit, pasi ato mund të keqinterpretojnë pikëpamjet politike të një kandidati, gjë që tashmë është e paligjshme.

Më 22 qershor, komisioni që mbikëqyr rregullat zgjedhore votoi për të mos marrë asnjë veprim. Komisioneri Allen Dickerson, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump, tha në takim se ata nuk kanë juridiksion mbi këtë çështje.

“Kongresi na ka dhënë autoritet shumë të kufizuar. Juridiksioni ynë në këtë pikë është i kufizuar për rastet kur një fushatë e keqinterpreton veten përmes mashtrimit duke vepruar në emër të ndonjë kandidati tjetër. Organizata duhet ta çojë çështjen në Kongres”.

Organizata “Public Citizen” thotë se “mosveprimi është dështim tronditës madje edhe për një agjenci të paefektshme”. Zonja Gilbert thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale po shënon një pikë kthese në fushatat politike.


“Ngjason me momentin kur u shpik interneti. Na presin ndryshime kolosale. Imagjinoni sikur atëherë të dinim ato që dimë sot për ndikimin që do të kishte interneti, do të kishim marrë masat e duhura për të mbrojtur njerëzit që në fillim. Jemi pikërisht në një moment të tillë”, thotë Lisa Gilbert me organizatën jofitimprurëse për mbrojtjen e konsumatorëve “Public Citizen”.

Aktualisht Kongresi po shqyrton një propozim i cili kërkon që reklamat politike të deklarojnë nëse është përdorur inteligjenca artificiale për të krijuar foto ose video.

XS
SM
MD
LG