Kryeministri hungarez Viktor Orban i kërkoi të martën presidentit serb Aleksandar Vuçiç t’i lirojë tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi që nga 14 qershori.
Kryeministri Orban iu bashkua të martën thirrjeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për lirimin e policëve.
“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë dhe mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha kryeministri Orban në një konferencë me gazetarë në qytetin e Suboticës në Serbinë veriore, pas një takimi ndërmjet qeverive të të dyja vendeve.
Por, presidenti serb nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të dëgjojë thirrjet perëndimore, duke theksuar se “çështja u takon organeve të drejtësisë”. Të tre policëve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Që nga mbrëmë në vendkalimet që lidhin Kosovën me Serbinë, Merdar dhe Jarinjë, autobusët dhe kamionët nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë, nga grupe qytetarësh serbë. Ata janë hedhur në protestë në shenjë revolte ndaj vendimit të javës së kaluar të Prishtinës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në Kosovë, pas arrestimit të tre policëve.
Arrestimi tyre shtoi tensionet edhe ashtu të larta mes Kosovës dhe Serbisë, duke nxitur shqetësimet për ripërtëritjen e konflikteve në rajon.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar një takim për menaxhimin e krizës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Bashkimi Evropian tha se takimi duhet të mbahet pa kushte, duke përsëritur thirrjet për uljen e tensioneve.
Kryeministri Kurti tha se përgjigja e tij do të varet nga një vizitë që shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd pritet t’u bëjë policëve të Kosovës që po mbahen në një burg në qytetin e Kralevës në Serbi.
Ndërsa, presidenti serb Vuçiç tha të martën se “nuk do të bisedojë me zotin Kurti derisa të lirohet çdo serb u arrestuar në veri të Kosovës dhe të mos tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave veriore”.
NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që më 26 maj në veri të Kosovës ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Diplomatët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës që të largojë njësitë e posaçme të policisë nga komunat veriore, që kryetarët e komunave të punojnë në zyra alternative dhe të organizohen zgjedhjet e reja atje.
Kryeministri Kurti tha të hënën se largimi i policisë do të ndodhë krahas vendosjes së ligjit, por nuk ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të pranojë kërkesat perëndimore.