Bashkimi Evropian u bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që t'i përgjigjen ftesës për një takim krize ne Bruksel, ndërsa paralajmëroi se shpërfillja e saj mund të ketë pasoja për të dyja palët.
Asnjëri nga udhëheqësit ende nuk i ka kthyer përgjigje shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për një takim gjatë kësaj jave në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza e cila u thellua pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se ende nuk është caktuar data e mundshme e takimit.
“Përfaqësuesi i lartë dhe gjithashtu vendet anëtare të Bashkimit Evropian presin një qëndrim më të arsyeshëm nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim që të vijnë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhjeje është para së gjithash në interes të qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi. Dhe sigurisht, Bashkimi Evropian, shtetet anëtare po e shikojnë këtë sjellje, nëse ka vullnet për të përshkallëzuar apo nëse ka vullnet për të zgjidhur situatën”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha një ditë më parë se nuk do të takohet me kryeministrin Kurti, ndërsa do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitet në takim”, duke nënvizuar se ky do të jetë një vendim strategjik.
Kryeministri Kurti tha të hënën se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel dhe përgjigja e tij do të varet nga një vizitë që shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd pritet t’u bëjë policëve të Kosovës që po mbahen në një burg në qytetin e Kralevës në Serbi.
“Unë kam kërkuar takimin për javën që shkoj mirëpo më patën thënë që duhet të de-eskalohet gjendja e më pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviç, pra eskalimi u shtua dhe vetëm më pas u ftova për një takim të radhës në Bruskel që nuk jam i sigurt nëse është menduar saktësisht në datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Sido që të jetë unë dua që fillimisht të presë vizitën e ambasadorit Jetish Jashari në burg në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng, që po mbahen rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë do ta marr vendimin dhe do ta jep njoftimin për këtë”, tha kryeministri Kurti.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë të lirojë menjëherë policët e Kosovës. Por deri tani Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta bëjë këtë.
Diplomacia perëndimore po u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensionet. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha të hënën pas një takimi me kancelarin gjerman Olaf Shcholz se palët duhet t’u kthehen menjëher bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
“Përkushtimi i NATO-s sipas mandatit nga Kombet e Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona të KFOR-it do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha sekretari Stoltenberg.
NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen në veri të Kosovës ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.