Lidhje

Vuçiç: Ende nuk kam vendosur për takimin në Bruksel - dialogu me Kurtin i pakuptimtë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të dielën se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel në takimin e thirrur për menaxhimin e krizës në Kosovë, duke i quajtur të pakuptimta bisedimet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Beograd, ku nuk dha shenja se është i gatshëm t’i lirojë tre policët që po mbahen në Serbi që nga 14 qershori megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Vuçiç: Ende nuk kam vendosur për takimin në Bruksel - dialogu me Kurtin i pakuptimtë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

Të premtën një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim prej 30 ditësh dhe hetimin e tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi.

Kosova akuzoi Serbinë për, siç thuhet, rrëmbim të policëve brenda territorit të saj, ndërsa Serbia thotë se ata kishin hyrë në territorin serb.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se mbetet e paqartë se ku ndodheshin pjesëtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se institucionet e vendit janë duke bërë gjithçka që policët të lirohen sa më shpejt, ndërsa kërkoi sërish nga faktori ndërkombëtar që të denojë, siç tha, agresionin e Serbisë.

Shtetet e Bashkuara, i bën thirrje sërish të shtunën presidentit dhe qeverisë së Serbisë, “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor dhe se arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka paralajmëruar një takim për javën e ardhshme për menaxhimin e krizës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha sot se nuk ekziston dialogu me Albin Kurtin, pasi sipas tij ai kërkon luftë me çdo kusht. Ai tha se është e kotë të diskutohet për asgjë, derisa, siç tha, kryetarët e rrejshëm të japin dorëheqjen dhe të tërhiqen nga veriu ose derisa forcat e posaçme të policisë së Kosovës të tërhiqen nga ato komuna.

Zoti Vuçiç tha se kur të zgjidhen këto kërkesa, atëherë do të ketë kuptim dialogu ndërsa tha se për rpjesëmarrje në bisedime do të merr vendim në ditën në vazhdim.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel për bisedime.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Tensionet ne veri të Kosovës që u përshkuan në disa raste me dhunë kanë shtyrë NATO-n të shtojë praninë e trupave të saj në terren mes shqetësimeve për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Të dielën, NATO-ja tha se i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës ndërsa u përkujtoi të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri.

Këto detyrime sipas NATO-s janë krijuar “për të siguruar veprim të bashkëreduar, për të shmangur përshkallëzimin dhe ruajtjen e mjedisit të sigurt”.

XS
SM
MD
LG