Në Shqipëri, në procesin gjyqësor për inceneratorin e Fierit, Prokuroria e Posaçme kërkoi sot dënimin me 6 vjet e 8 muaj burgim për ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, e 4 vjet e 6 muaj për ish deputetin socialist Alqi Bllako. Dënimi më i rëndë, me 8 vjet burgim, u kërkua për sipërmarrësin Klodian Zoto, ndaj të cilit rëndojnë të paktën 6 akuza. Për 12 të akuzuar të tjerë, dënimet e kërkuara luhateshin nga 2 vjet në mbi 5 vjet burgim, ndërsa për 4 të pandehur, procesi do të vijojë i rregullt, pasi ata kanë refuzuar gjykimin e shkurtuar
Për inceneratorin e Fierit, Prokuroria e Posaçme vlerëson se shkeljet kanë nisur që me procedurat e dhënies së koncensionit dhe me vlerësimin e sipërfaqes ku do të ngrihej impianti, duke vijuar më pas me skema mashtrimi me fatura fiktive për blerje apo punë të pakryera, si dhe me Tatimin mbi vlerën e shtuar, apo dhe akte korrupsioni të zyrtarëve të ndryshëm.
Ndaj ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka, rëndojnë tre akuza, nga “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion” apo dhe “Pastrim parash”. Ai dyshohet të ketë përfituar 1.2 milion euro në formë ryshfeti. Prokuroria kërkoi sot dënimin e tij me 6 vjet e 8 muaj, pas përfitimit të uljes së dënimit me 1 të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar. I njejti dënim është kërkuar për të dhe në procesin për inceneratorin e Elbasanit.
Për rastin e ish deputetit socialist Alqi Bllako, sikundër dhe të Arben Dervishajt në funksionin e supervizorit të punimeve, pati diskutime në sallë. Prokuroria mbajti ndaj zotit Bllako, përveç akuzës së “Shpërdorimit të detyrës” dhe atë të “Korrupsionit të funksionarëve të lartë”, në dy raste, ndryshe nga ç’kishte përcaktuar Gjykata, në seancën e pranimit të gjykimit të shkurtuar, për “Korrupsion të funksionarëve publik”. Zoti Bllako ka patur fillimisht funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe më pas atë të Drejtorit të Përgjithshëm të AKUM-it. Duke mbajtur të njejtin qëndrim, Prokuroria e rëndoi pozitën e ish deputetit, dhe kërkoi për të 4 vjet e 6 muaj burgim.
Dënimi më i lartë, 8 vjet burgim, u kërkua për Klodian Zoton, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare, i cili është dhe personi me më shumë akuza, 6 të tilla, nga korrupsioni, mashtrimi, apo dhe pastrimi i parave. Zoto është ende në kërkim. Sikundër dhe partnerët e tij në rastin e inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri.
Ndërsa për 4 të pandehur procesi do të vijojë i veçuar, pasi kanë refuzuar gjykimin e shkurtuar, për 12 të tjerë, administratorë të kompanisë që fitoi koncensionin, anëtarë të komisioneve të prokurorimit, apo sipërmarrës, që përmes kompanive të tyre, shërbyen sipas prokurorisë, për të realizuar pagesa fiktive për punë të pakryera, dënimet e kërkuara nisin nga 2 vjet deri në 5 vjet e 3 muaj burgim.
Asnjë prej të akuzuarve kryesorë nuk ishte sot në sallën e gjyqit, duke zgjedhur të përfaqësohen nga avokatët e tyre, të cilët vijojnë të këmbëngulin në pafajësinë e klientëve që mbrojnë.