Lidhje

Inceneratori i Elbasanit, kërkohet 6 vjet e 8 muaj burg për ish ministrin Koka


Albania Incenirator in Elbasan
Albania Incenirator in Elbasan

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme, paraqiti sot pretencën për rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke kërkuar dënime nga 7 deri 10 vite burg të akuzuarit, të cilët përfitojnë uljen me 1 të tretën, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Për këtë arsye, për ish ministrin e mjedisit Lefter Koka dhe dy nga sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, u kërkua përfundimisht 6 vjet e 8 muaj burgim. Ndërsa për ish deputetin Alqi Bllako 2 vjet e 8 muaj.

Inceneratori i Elbasanit, kërkohet 6 vjet e 8 muaj burg për ish ministrin Koka
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Nga 10 të pandehurit e çështjes së inceneratorit të Elbasanit, sot në sallën e gjyqit nuk ishte as ish ministri Koka e as ish deputeti socialist Alqi Bllako, të cilët kishin zgjedhur të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Ish kreu i Prokurorisë së posaçme, Arben Kraja, një ndër prokurorët që ka hetuar rastin, lexoi dënimet e kërkuara për secilin, me përjashtim të ish zyrtares së ministrisë së Mjedisit Etleva Kondi, e cila nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar, dhe do gjykohet më vete.

Dënimi më i lartë me 10 vite burg, si bashkim dënimeve për çdo akuzë, u kërkua për zotin Koka dhe dy nga sipërmarrësit e përfshirë në garën dhe ndërtimin e inceneratorit, Mirel Mërtirin, i konsideruar nga prokuroria si pronari i vërtetë i shoqërisë“Albtek Energy” sh.p.k, e cila fitoi koncensionin, dhe Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i kërkuar për ta, reduktohet në 6 vite e 8 muaj burg.

Ndaj ish ministrit rëndojnë 3 akuza, nga korrupsioni, te pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës. Ndërsa dy sipërmarrësit akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe pastrim parash. E njejta akuzë dhe për bashkëpunëtoren e tyre Stela Gugallja, ortake e vetme dhe administrator e “Albtek Energy”. Por për të u kërkuan 7 vite, të konvertuara në 4 vite e 8 muaj burg. Gugallja, Mërtiri dhe Zoto janë shpallur në kërkim.

Për zotin Koka, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. E njëjta masë dhe për ish deputetin socialist dhe ish sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, ndërkohë që dënimi me burg për të, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, është 4 vjet, ose i reduktuar në 2 vjet e 8 muaj. I njejti dënim, për të njejtën akuzë, dhe për ish anëtarët që kanë qenë pjesë e komisioneve të prokurorimit, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa.

Prokuroria e posaçme ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e kompanive që morën konçensionin dhe ndërtuan impiantin në Elbasan, si dhe të pasurive që u janë sekuestruar më parë të akuzuarve të tjerë.

Avokatët të cilët kanë këmbëngulur gjatë gjithë kohës në pafajësinë e të akuzuarve, u shprehën sot të habitur nga dënimet e rënda që sipas tyre janë kërkuar nga Prokuroria e posaçme. “Në këtë Gjykatë janë gjykuar me dhjetra për shpërdorim të deturës, ndërkohë që në rastin konkret, për mendimin tim, është kaluar në ekstrem. Për një vepër penale që nuk ekziston, sepse dëmi nuk ka ardhur nga anëtarët e komisionit, por nga vendimi i Këshillit të Ministrave apo Ministria e Financave. Për njerëz që janë të punësuar e kanë qenë pjesë e komisionit, të cilët kanë hartuar draftin, sot kërkohet nga Prokuroria e posaçme, katër vjet burgim”, deklaroi Saimir Visha, avokat i Jonida Zeqos.

Seanca e mbrojtjes është lënë për në 1 Qershor, ndërkohë që një pjesë e mirë e të akuzuarve, janë të përfshirë dhe në rastin e inceneratorit të Fierit, që nga ish ministri Koka, ish deputeti Bllako, sipërmarrësi Zoto, apo dhe dy prej anëtarë të komisioneve të prokurimit.

XS
SM
MD
LG