Presidenti Joe Biden nënshkroi të shtunën ligjit për ngritjen e tavanit të borxheve që mund të marrë qeveria deri në fillim të vitit 2025.
Ligj u miratua pas disa javë negociatash të vështira, por që arriti në fund të shmangë një krizë financiare me pasoja katastrofike.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, të premten në mbrëmje Presidenti Biden mbajti një fjalim për herë të parë nga Zyra Ovale, për t’i dhënë rëndësinë e duhur këtij momenti.
Që kur mori detyrën në fillim të vitit 2021, Presidenti Joe Biden nuk i ishte drejtuar ndonjëherë kombit nga Zyra Ovale. Kjo ndodhi të premten.
“Askush nuk mori gjithçka që donte, por populli amerikan mori atë që i duhej. Shmangëm një krizë dhe një kolaps ekonomik”, tha Presidenti Biden.
Të shtunën, Presidenti Biden firmos ligjin e miratuar me shumicë dërrmuese në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat më herët gjatë javës.
Ligji i mundëson qeverisë të vazhdojë të marrë hua për 19 muajt e ardhshëm, për të plotësuar nevojat e saj dhe shmangë falimentimin, që mund të shkaktonte kaos në sistemet financiare në mbarë globin.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili negocioi me Presidentin Biden, vuri theksin tek aspekti i kursimeve, duke thënë se ligji parashikon shkurtimet më të mëdha buxhetore që ka miratuar ndonjëherë Kongresi.
“Ky do të jetë ligji 2.1 trilionë dollarë”, tha ai.
Rritja e tavanit të borxhit është një proces rutinë që ka ndodhur 78 herë që nga viti 1960, por i cili që nga viti 2011 u shndërrua në burim konflikti për shkak të ndasive në sistemin qeverisës të Shteteve të Bashkuara.
Tashmë po bëhen edhe përpjekje për ta reformuar procesin, si p.sh. me një legjislacion të ri që do t’i detyronte ligjvënësit të votojnë çdo vit për politikat për uljen e borxhit, duke pezulluar automatikisht edhe tavanin e borxhit.
“Do t’i bashkonte këto dy çështje në një mënyrë që do t’i hiqte rrezikshmërinë tavanit të borxhit dhe do ta eliminonte njëherë e mirë idenë e falimentit, duke e lidhur me procesin vjetor të hartimit të buxhetit”, thotë Rachel Snyderman, nga Qendra e Politikave Dypartiake.
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një borxh prej 31.4 trilionë dollarësh dhe po vazhdon ta rrisë atë.
Zyra për Buxhetin e Kongresit parashikon një deficit të buxhetit federal prej 1.5 trilionë dollarësh për vitin 2023, i cili mund të dyfishohet në gati 2.7 trilionë dollarë deri në vitin 2033.