Lidhje

Kosovë, debat i ashpër në parlament lidhur me zhvillimet në veri


Albin Kurti-- Kuvend
Albin Kurti-- Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi të premten Beogradin zyrtar për organizmin dhe nxitjen e protestave të dhunshme në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës ku u kritikua nga opozita për veprimet në veri pa bashkërendim me aleatët kryesor, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, që kundërshtuan hyrjen me forcë të kryetarëve shqiptarë ne komunat veriore. Ai theksoi se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të policisë nuk ishte një vendim politik.

“Më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë, edhe atëherë edhe sot, kanë vlerësuar drejt. Përndryshe po të mos ishte ashtu ne do të kishim kryetarë komunash të cilët goditen nga bandat kriminale sepse do të ishim të ekspozuar ndaj sulmit që ishte i parapërgatitur dhe kërkonte pretekst”, tha kryeministri Kurti.

Dhuna në veri tha ai është përgjegjësi e Serbisë.

“Protestat vijnë prej poshtë, këto nuk janë protesta nga poshtë por nga lart që do të thotë se nuk janë protesta, nuk ka asgjë autentike në ato protesta, nuk është vullnet i popullit ai, por direktivë e Beogradit, dhe mua më vjen keq për qytetarët serbë që detyrohen të dalin në këto protesta sepse unë mendoj që ata sot janë njerëzit më të palirë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se rrezikimi i marrëdhënieve me partnerët strategjik të Kosovës është çmim i lartë për të mundësuar punën e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

“Mos më keqkuptoni, e drejtë është të shkohet në ato komuna, edhe unë e di saktë që mund të shkojmë e mund t’i dërgojmë me polici kryetarët edhe t’i mbajmë brenda e nuk mund t’i ndalojnë as bandat kriminale të Vucicit sepse do të tërhiqen. Por a ka mundësi të më tregosh nëse kostoja është rrezikimi i marrëdhënieve me të gjithë aleatët e Kosovës, nëse kostoja janë ndëshkimet që tashmë kanë filluar e të cilat mund të vazhdojnë, mendoni që ja vlen?”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Në këtë përballje publike të qartë dhe të hapur të Kosovës me gjithë botën demokratike, me aleatët historik të Kosovës, përballja jonë me bandat kriminale në veri e përballja jonë me vet Serbinë mbetet në rend të dytë, sepse pa të parët jo vetëm me aleatë por me aleatë kundër nesh, vendi ynë nuk ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin e as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbas edhe aleatët edhe sovranitetin, në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi rrëzimin e qeverisë e cila siç tha kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj po bënë veprime që u përshtaten kundërshtarëve të aleatëve të Kosovës.

“Kush fiton nga mashtrimi i aleatëve tonë të sigurisë deri në tradhti? Fiton Rusia, fitojnë armiqtë tanë, fiton Serbia, fitojnë ato bandat që po i numëron me lista ky (kryeministri i Kosovës). Për këtë arsye, ju propozoj juve deputetë pa ju ndarë në parti të shkojmë në mocion dhe ta ndërprejmë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti, pra mocion e ta shkarkojmë qeverinë Kurti”, tha kryeministri Kurti.

Diplomacia perëndimore ka kritikuar autoritetet e Kosovës për përshkallëzimin e situatës ne veri të vendit, pasi grupe qytetarësh serbë u përplasën me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s derisa po kundërshtonin hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat e komunave përkatëse. Shtetet e Bashkuara të Amerikës anulaun pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023", për shkak të mungesës së bashkërendimit të qeverisë lidhur zhvillimet në veri ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë e ndëshkimeve të tjera.

XS
SM
MD
LG