Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, thotë se situata e krijuar në veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitet të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai theksoi se përgjegjësia për vendimarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën. Zoti Fried, një diplomat karriere me një përvojë prej disa dekadash në Departamentin e Shtetit thotë se Uashingtoni ka të drejt të jetë i zemëruar me qeverinë e Kosovës dhe se qëndrimet e fundit të Shteteve të Bashkuara dëshmojnë për thyerjen më të madhe në raportet e saj me Kosovën. Në intervistën me gazetaren Milena Djurdic, nga shërbimi në gjuhën serbe i Zërit të Amerikës, ish-diplomati amerikan thotë se qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se ka gabuar dhe të tërhiqet.
Zëri i Amerikës: Si i komentoni përplasjet dhe dhunën në Kosovë gjatë këtyre ditëve të fundit dhe cilat janë rreziqet e mundshme jo vetëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më gjerë në rajon?
Daniel Fried: Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës kanë qenë në një gjendje jo normale për shumë vite dhe përgjegjësia për këtë, në përgjithësi, ka rënë mbi Serbinë sepse ajo nuk ka pranuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ata nuk do ta rimarrin Kosovën. Kjo çështje ka mbaruar, pjesërisht për shkak të viteve të nacionalizmit shkatërrimtar serb, duke përfshirë shtypjen e shqiptarëve në Kosovë, që çoi në ndërhyrjen e NATO-s, të cilën ne nuk e donim.
Në të njëjtën kohë, kriza e tanishme duket se është shkaktuar nga gabimet e qeverisë së Kosovës. Pra, në tërësi, Serbia mund të ketë përgjegjësi, për këtë gjendje të çuditshme, por kriza e tanishme është diçka që ka shkaktuar, do të thosha, zemërimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk e përdor lehtë këtë fjalë, por lexova deklaratën e plotë të zotit Hovenier, ambasadorit amerikan në Kosovë, në konferencën me gazetarët. Dhe që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nuk mbaj mend që një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar, sa dukej ai. Mendoj se qeveria e Kosovës me siguri e ka marrë vendimin në rrethana të vështira, por vendimi e përkeqësoi shumë më tepër situatën, që edhe më parë ishte e komplikuar. Kjo ka rezultuar në përkeqësimin e fortë të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Dhe kjo nuk i shërben askujt. Është për të ardhur keq.
Nuk mendoj se protestat dhe vënia në gatishmëri e ushtrisë serbe janë të dobishme. Por vura re se, në konferencën për mediat, ambasadorit Hovenier iu dha mundësia, që të ngarkonte me përgjegjësi të dyja palët, dhe ai nuk e bëri këtë.
Ai u përqendrua tek përgjegjësia e qeverisë së Kosovës. Kjo më la përshtypjen, se ishte një shenjë se Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të zemëruara me vendimet e qeverisë së Kosovës. Dhe natyrisht KFOR-i duhej të ndërhynte. Forcat e KFOR-it pësuan lëndime serioze. Nuk e krijoi qeveria e Kosovës këtë situatë. Kjo situatë në përgjithësi është kryesisht, por jo plotësisht, përgjegjësi e serbëve, të cilët duket se ende fantazojnë se Kosova mund t’i kthehet Serbisë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë. Nuk kishte asnjë arsye që qeveria të merrte një vendim që do të përkeqësonte situatën. Pra, është një kohë e vështirë si në terren ashtu edhe në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, dhe e gjithë kjo gjë më duket për të ardhur keq.
Tani, shpresojë që qeveria e Kosovës të gjejë një mënyrë që të korrigjojë gabimet e saj fillestare.
Qeveritë bëjnë gabime dhe shpresoj, që në njëfarë niveli dhe ndoshta në të gjitha nivelet, qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë, por është një periudhë e vështirë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk do të ndryshojë faktin se Serbia duhet të përballet me realitetin.
Mbretëria e Jugosllavisë është zhdukur, Jugosllavia komuniste është zhdukur. Serbia e ka humbur Kosovën. Nuk do ta marrë prapë. Për më tepër, përse Serbia dëshiron të qeverisë një popullatë që nuk dëshiron të udhëhiqet prej saj? Serbia natyrisht, ka interesa serioze, legjitime, të kuptueshme për manastiret historike, njerëzit atje, ka interes për komunitetin serb dhe mund të gjenden rrugë për trajtimin e këtyre çështjeve. Shtetet e Bashkuara po punonin për këtë me Evropën dhe përfaqësuesit evropianë.
Por besoj e kuptoni ku dua të dal. Kjo nuk është një situatë e drejtë dhe e paanshme. Është një situatë në të cilën Shtetet e Bashkuara mendojnë se qeveria e Kosovës ka bërë një gabim serioz, situatë të vështirë.
Zëri i Amerikës: E dimë se, edhe Sekretari Blinken, përmes deklaratave të lëshuara nga zyra e tij, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për atë vendim. A është i justifikuar qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për të fajësuar plotësisht Kosovën?
Daniel Fried: Mendoj se qeveria amerikane kishte arsye për t’u zemëruar. Mendoj se rrënjët e problemit nuk janë tek Kosova. Përgjegjësia, bie më shumë mbi Serbinë, tek përpjekjet e saj për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, e cila, serbët besoj se e dinë, se është e pakthyeshme. Çështja e Kosovës ka marrë fund. Por për disa arsye ata nuk e pranojnë. Prandaj, mendoj se përgjegjësia më e madhe është tek pala serbe, por përgjegjësia për këtë incident që përfshiu komunat, ishte e autoriteteve të Kosovës, ishte një vendim i Kosovës. Prandaj Shtetet e Bashkuara janë të zemëruara, sepse qeveria e Kosovës mori një vendim, bazuar në në një logjikë të kuptueshme të sovranitetit, por abstrakte, duke bërë që pasojat të trajtoheshin nga KFOR-i dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoj se amerikanët ishin të zemëruar nga kjo qasje.
Zëri i Amerikës: E dimë se në deklaratën e parë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, u paralajmërua për pasoja në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ju përmendët ambasadorin amerikan, i cili tha se pasoja e parë ishte anulimi i pjesëmarrjes së forcave të Kosovës në stërvitjen Defender Europe 2023. Kryeministri Kurti tha se mendonte se ky vendim ishte një katastrofë dhe i padrejtë. A mendoni se vendimi i Shteteve të Bashkuara për këtë ishte i justifikuar?
Daniel Fried: Mendoj se Shtetet e Bashkuara synonin të tërhiqnin vëmendjen e qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, çka do të thotë se ishin seriozisht të zemëruar. Dhe unë mendoj se ata kishin arsye për këtë. E njoh sekretarin Blinken, e njoh prej 30 vitesh. Ai është një person i mençur. Mendoj, dhe me sa di unë, ai kishte arsye të ishte i zemëruar nga veprimet e qeverisë së Kosovës.
Këto veprime i përkeqësuan gjërat dhe KFOR-i dhe Shtetete e Bashkuara u detyruan të merreshin me pasojat e këtyre veprimeve.
Mendoj se kjo ishte një mënyrë për t’i thënë Kosovës se nuk mund të krijoni probleme të panevojshme për Shtetet e Bashkuara dhe më pas t’i largoheni përgjegjësisë. Sërish dua ta theksojë se Serbia ka përgjegjësi shumë më të madhe për problemet në veri të Kosovës. Por druaj se qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për këtë incident të veçant. E njoh ambasadorin Hovenier, ai është një person serioz. Dhe zemërimi i tij gjatë konferencës për mediat ishte i qartë.
Zëri i Amerikës: Ai përmendi gjithashtu se Uashingtoni po shqyrton marrjen e masave të tjera. Çfarë masa të tjera mund të merren ndaj Kosovës?
Daniel Fried: Nuk dua të spekuloj. Do do të preferoja që qeveria e Kosovës të gjente një mënyrë për t’u tërhequr.
Zëri i Amerikës: Por kryeminsitri Kurti duket se është shumë i vendosur për këtë.
Daniel Fried: Shpesh politikanët mbajnë qëndrime të forta në publik, por gjejnë një mënyrë për t’u tërhequr. Ndaj le të shohim se çdo të bëjë ai. Por ai duhet ta dijë se është gabim që mbështetja amerikane të merret si e mirëqenë. Ose që të ndërmerren veprime sikur mbështetja amerikane është e përhershme dhe se do të vazhdojë pavarësisht gabimeve. Shtetet e Bashkuara kanë durim të madh dhe njohuri strategjike të situatave politike lokale. Por, unë mendoj se qeveria e Kosovës mendon se mbështetja amerikane është automatike pavarësisht veprimeve të tyre. Shtetet e Bashkuara morën një vendim për të mbështetur pavarësinë e Kosovës në vitet e para të këtij shekulli. Unë kam qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Kjo ishte zgjedhja që bëmë. Mund të kishim bërë të tjera zgjedhje, por mendoj se zgjodhëm me mençuri. Megjithatë, Kosova duhet të përfitojë nga kjo mundësi dhe të konsolidojë pozicionin e saj dhe jo thjesht t'i trajtojë Shtetet e Bashkuara sikur një burim të pafund mbështetjeje të verbër, të padiskutueshme, në çdo rrethanë. Ajo këshillohet të përfitojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Dhe dua ta theksojë sërish se qeveritë bëjnë gabime dhe shpresoj që kryeministri do ta kuptojë mirë se shkoi shumë larg dhe do të gjejë një mënyrë për t'u tërhequr.
Zëri i Amerikës: Duke marrë parasysh se ju keni qenë pjesë e asaj vendimarrjeje, vendimarrjes lidhur me Kosovën dhe Kosova është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe SHBA-të i kanë ofruar mbështetje të fortë asaj. A mendoni se ndëshkimi amerikan tani ka qenë jashtëzakonisht i ashpër?
Daniel Fried: Kjo është padyshim thyerja më e madhe që ka ndodhur në bashkëpunimin e gjatë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kjo është shprehja më e fortë e kundërshtimit amerikan ndaj një akti të qeverisë së Kosovës që mund të kujtoj. Dhe ishte deklarata më e ashpër që mbaj mend. Dhe ky nuk ishte një akt i humorit të keq apo akt i pamenduar, për të thënë diçka në mikrofon. Kjo ishte diçka që qeveria e Shteteve të Bashkuara e kishte shqyrtuar. Dhe mendoj se ka një arsye për këtë. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë hapa të caktuar dhe kërkesa jonë u shpërfill dhe hapat u ndërmorën dhe rezultati ishte pikërisht ai të cilit i druheshim. Ndonëse nuk e di të gjithë historinë, mendoj se kjo është arsyeja e zemërimit. Mendoj se zhgënjimi ishte i justifikuar.
Nuk është fundi i botës, por qeveria e Kosovës duhet të gjejë një mënyrë për t'u tërhequr.
Zëri i Amerikës : Ju thatë se rrënjët e gjithë kësaj janë tek Serbia. Le të flasim për Beogradin. Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar Beogradin dhe presidentitn Vuçiç për nxitjen e përplasjeve për të destabilizuar Kosovën. Në deklaratën e fundit, Sekretari Blinken i bëri thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij të ulë tensionet dhe u bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos sfidojnë KFOR-in dhe të përmbahen nga aktet e dhunës. A mendoni se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë, në fakt mjaft të forta, ndaj Beogradit dhe ndaj presidentit serb?
Daniel Fried: Sigurisht që kërkesat e Shteteve të Bashkuara, të presidentit dhe qeverisë serbe janë të arsyeshme. Mendoj se do të ishte gabim për qeverinë serbe të arrinte në përfundimin se Shtetet e Bashkuara janë të zemëruara me qeverinë e Kosovës dhe kjo është një mundësi për Serbinë që t'i përkeqësojë më tej këto raporte. Kjo nuk është e vërtetë. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të reagonin shumë ashpër nëse Serbia do të përpiqej të shfrytëzonte situatën aktuale.
Presidenti Vuçiç për shumë vite është munduar të ndjekë dy rrugë njëkohësisht. Në njërën anë, ai po përpiqet të jetë një forcë në mbështetje të stabilitet dhe një të ardhmeje evropiane për Kosovën. Por në të njejtën kohë, ai ka përdorur kartën nacionaliste serbe. Unë mendoj se ndoshta zoti Vuçiç po mendon se Rusia do ta mbrojë Serbinë dhe do të ofrojë opsione të mira strategjike dhe aftësi për të luajtur lojëra taktike afatshkurtra. Unë do ta këshilloja qeverinë serbe që ta rishikojë këtë strategji me mikun e tyre Vladimir Putin dhe Rusinë. Ata nuk janë në gjendje t'ju ndihmojnë shumë, përveçse të nxisin tensionet. Ata mezi po ndihmojnë veten e tyre. Ata janë duke humbur një luftë që nuk duhet ta kishin nisur. Sigurisht që e kam fjalën për luftën me Ukrainën, ata nuk kanë arritur ta pushtojnë Ukrainën. Ata nuk mund ta fitojnë luftën dhe nuk mund të tërhiqen prej saj. Ekonomia e tyre është në vështirësi. Të rinjtë po largohen nga vendi. Ata nuk janë në gjendje të mirë. Mbështetja tek Rusia nuk më duket mua si një veprim i mençur. Rusia nuk është në gjendje të veprojë si një lloj mbrojtëse strategjike për Serbinë. Ata do të thonë gjërat e duhura dhe janë në gjendje të bëjnë telashe, zhurmë dhe të shkaktojnë probleme.
Por kjo nuk do t'i ndihmojë qytetarët e zakonshëm sërbë. Kështu që unë mendoj se për presidentin Vuçiç do të ishte më mirë që të përfitonte nga kjo mundësi për të thelluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën dhe të jetë një forcë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ka interesa krejtësisht legjitime serbe në Kosovë. Ajo duhet të kërkojë një trajtim më të mirë të sërbëve në Kosovë. Këto do të ishin kërkesa të arsyeshme dhe mendoj se ato do të respektoheshin. Por, nuk është e arsyeshme që Serbia të sillet sikur është ende fuqi sovrane në veri të Kosovës. Kjo do të shkaktonte vetëm telashe.
Zëri i Amerikës: Sa ka kontribuar në krizën aktuale urdhri nga Beogradi që sërbët në Kosovë të bojkotojnë zgjedhjet lokale në veri? A mendoni se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar po kënaqin kërkesat e Serbisë dhe preisdentit Vuçiç, siç mendojnë disa analistë të çështjeve të Ballkanit?
Daniel Fried: Mendoj se presidenti Vuçiç dhe qeveria serbe duhet të heqin dorë nga pretentimet se ata mund t’i japin fund ose se mund të kompromentojnë disi sovranitetin e Kosovës. Ata po përdorin komunitetin serb në veri në disa mënyra si thjesht objekte të një loje politike. Kjo nuk do t'i ndihmojë serbët në veri. Ata duhet të ndihmojnë serbët në veri të arrijnë në një pikë të qëndrueshme brenda Kosovës. Kjo ndoshta është e arritshme. Ka shumë ide për këtë, si vetëqeverisja lokale, asociacioni i komunave serbe, ka shumë ide që mund të jenë të realizueshme. Por ata nuk do të jenë pjesë e Serbisë dhe Serbia nuk do ta pushtojë Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë. Shpresojë që në periudhën në vijim, në javët e ardhshme, kur të ulen tensionet e krijuara nga kriza aktuale, të gjitha palët do të mund të kthehen në ndërtimin e asaj që mund të ndërtohet. Dhe sigurisht që Serbia nuk duhet ta përkeqësojë situatën. Dhe nëse Serbia e bën këtë, gjërat nuk do të jenë shumë mirë për Serbinë. Nëse jo në Bashkimin Evropian, ku mund të shkojë Serbia? Të bashkohet me një grup të dominuar nga Rusia? Rusia nuk do ta ndihmojë Serbinë. Rusia është nuk është e aftë ta ndihmojë Serbinë. Rusët nuk do të jenë në gjendje që në një të ardhme të afërt ta ndihmojnë Serbinë të bëhet më e pasur, të integrohet më mirë me botën, me Evropën. Rruga e Serbisë përpara nuk është të vazhdojë të ndjekë një qëndrim të balancuar mes Perëndimit dhe Rusisë, në një kohë kur Rusia po udhëhiqet nga një person i akuzuar për krime lufte.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të dyja palët të rikthehen tek dialogu, i cili deri tani nuk ka zgjidhur shumë çështje pavarësisht arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. A duhet Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të rishqyrtojnë strategjinë e tyre për Serbinë dhe Kosovën?
Daniel Fried: Nuk jam i sigurt se idetë ose kornizat e reja për këtë çështje do të funksiononin. Kornizat aktuale ofrojnë mundësi të mjaftueshme për të bërë përparim, nëse palët duan të bëjnë përparim. Asnjë kornizë nuk do të sjellë përparim nëse palët nuk e duan atë. Pra, problemi nuk është tek korniza e dialogut, por në faktin nëse palët duan t'i trajtojnë çështjet me seriozitet.