Shtetet e Bashkuara anuluan të martën pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023", për shkak të mungesës së bashkërendimit të qeverisë së Kosovës lidhur zhvillimet në veri të vendit.
Ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, tha të mërkurën se Kosova mund të përballet edhe më masa të tjera.
“Ju e dini, unë mendoj se siç e bëri shumë të qartë zoti Blinken, do të ketë efekte në marrëdhëniet tona dypalëshe, ne po i shohim ato tashmë. Nuk i përjashtoj të tjera, por nuk jam në gjendje t'i identifikoj, përveçse të them, duam më shumë përparim në Kosovë, duam themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duam që të dyja vendet të normalizohen përfshirë edhe Serbinë”, tha ai.
Në Prishtinë, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, që vjen nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara qortojnë ashpër Kosovën, e cila sipas tij duhet të gjejë një rrugëdalje nga situata.
“Kjo nuk është e mirë për ne, natyrisht, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë është ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë e partnerët tanë, që t’i argumentojmë ndoshta më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Konjufca.
Opozita u shpreh ndërkaq e shqetësuar me sanksionet amerikane dhe fajësoi kryeministri Albin Kurti për mungesë bashkërendimi me aleatin kryesor të Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se nga sot subjekti i tij nuk mund të sillet sikur Kosova ndodhet në situatë normale ndërsa paralajmëroi përdorimin e të gjitha rrugëve institucionale e politike për të ndalur siç tha degradimin e shtetit.
“(Albin) Kurti ka vendosur kinse të mbrojë Kosovën nga Amerika, ne jemi vendosur ta mbrojmë Kosovën nga vet dëmi që (Albin) Kurti po u shkakton interesave nacionale të Kosovës. (Albin) Kurti ka vendosur të luftojë kundër aleatëve tanë për qëllime politike, për pak vota a ma shumë, ne jemi vendosur të luftojmë bashkë me aleatët për Republikën e Kosovës, e kjo luftë kërkon maturi diplomatike, bashkërendim me miqtë ndërkombëtar dhe insistim në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Por, një prej interesave jetike për Kosovën ka qenë dhe mbetet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Nuk mund të mbrohet Kosova kur cenohet ky interes”, tha ai.
“Kjo është e dëmshme, e papranueshme dhe karshi kësaj situate ne nuk mund të rrimë kështu duarkryq dhe duhet të marrim përgjegjësitë në duar tona në mënyrë që të arrijmë ta sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar kjo qeveri dhe kryeministri (Albin) Kurti”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mblodhi sot kryesinë e partisë për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj paralajmëroi fillimin e procedurave të një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
“Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian deri te sanksionet nga SHBA-të ndaj Kosovës”, tha zoti Haradinaj.
Partitë opozitare thanë se kanë bërë kërkesë në parlamentin e Kosovës për një seancë të jashtëzakonshme me kryeministrin Albin Kurti, për gjendjen në veri dhe në veçanti për siç thanë marrëdhëniet e rënduara ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe të Shtetet e Bashkuara, roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm për proceset politike të vendit.