Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron në Kosovë me leje të Gjykatës së Posaçme në Hagë, ku aktualisht zhvillohet procesi gjyqësor kundër tij dhe tre ish drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Angela Griep, i tha Zërit të Amerikës se zotit Thaçi i është dhënë leje për këtë vizitë për shkak të arsyeve bindëse humanitare, përkatësisht për të takuar familjen.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës në këtë proces”, tha ajo.
Mësohet se zotit Thaçi i është dhënë leje për ta vizituar nënën e sëmurë.
Ish presidenti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor ndaj tyre, që paraqet rastin e profilit më të lartë në këtë gjykatë, filloi në prill të këtij viti, më shumë së dy vjet pas arrestimit.
Qe të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat në paraqitjen e tyre para gjykatës.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar.