Lidhje

Presidenti Biden, trysni republikanëve për kufirin e borxhit


Presidenti Joe Biden kritikoi ashpër të mërkurën shkurtimin e shpenzimeve që kërkojnë republikanët duke paralajmëruar se ai do të kishte pasoja të rënda, në një fjalim me stil fushate para votuesve në Valhalla të shtetit të Nju Jorkut.

Ai i bëri komentet ndërsa ligjvënësit diskutonin në Uashington për rritjen e kufirit të borxhit qeveritar.

Presidenti Biden po e trajton gjithnjë e më shpesh temën e kufizimeve të mundshme të buxhetit, megjithatë ai këmbënguli përsëri se çdo diskutim i tillë duhet të bëhet pa shtuar rrezikun që qeveria federale të mos jetë në gjendje të paguajë shpenzimet e saj.

Ndërsa ai mbante fjalimin, negociatorët nga Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi u takuan për dy orë privatisht në Kapitol për të diskutuar për hapat e mëtejshëm.

“Amerika është ekonomia më e fortë në botë, por ne duhet të shkurtojmë shpenzimet dhe të ulim deficitin pa shkaktuar një krizë të panevojshme”, tha zoti Biden të mërkurën.

Komentet e tij ishin një reagim për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili pati një takim të martën me zotin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe deklaroi më pas se duheshin bërë shkurtime të thella të shpenzimeve në mënyrë që republikanët e Dhomës të binin dakord për të rritur kufirin e borxhit për të shmangur rrezikun e dështimit për ta paguar atë.

Presidenti Biden reagoi ashpër ndaj këtij propozimi të republikanëve të mërkurën në Valhalla, Nju Jork, duke thënë se shkurtimet e shpenzimeve të miratuara së fundmi nga Dhoma e kryesuar nga republikanët mund të dëmtonin financimet për shkollat dhe detyrimet "e shenjta" të vendit ndaj veteranëve.

Përplasja vjen ndërsa qeveria po përballet me shpejtësi me rrezikun e pamundësisë për të paguar detyrimet e saj që në fillim të muajit të ardhshëm nëse ligjvënësit nuk bien dakord për të ndryshuar kufirin.

Presidenti Biden vuri në dukje përparimin e fundit ekonomik, përfshirë hapjen e 12.7 milionë vendeve të punës gjatë mandatit të tij dhe përpjekjeve për të rigjallëruar prodhimin vendas.

Nga ana tjetër ai paralajmëroi se një dështim i paprecedentë në pagesën e borxhit do të kërcënonte miliona vende pune dhe do të shtonte shanset për një recesion.

Megjithatë, ligjvënësit republikanë thonë se kanë qenë shpenzimet e tij për lehtësimin e situatës me koronavirusin për inflacionin e lartë që i ka bërë shumë votues të ndjejnë shqetësim për ekonominë e SHBA-së.

Presidenti Biden dhe udhëheqësit e Kongresit do të takohen sërish të premten. Por zoti McCarthy ka treguar pak shenja se ai dhe republikanët e tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve mund të jenë të gatshëm të tërhiqen nga propozimi i tyre për kufirin e borxhit, duke e bërë udhëheqësin e shumicës në Senat, demokratin Chuck Schumer të paralajmërojë se kryetari po tregohet "i papërgjegjshëm".

Në kushtet kur bisedimet mes të dyja palëve po shfaqin përparim minimal, Shtëpia e Bardhë shpreson që komunikimi i zotit Biden me publikut- duke filluar nga një distrikt i Kongresit si ai i Valhallas që do të jetë kyç për demokratët që duan të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët vitin e ardhshëm, do të rrisë presionin ndaj ligjvënësve republikanë që nuk mund të përballojnë politikisht t’i bëjnë të pakënaqur votuesit e moderuar.

XS
SM
MD
LG