Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha të martën pas takimit me Presidentin Joe Biden dhe udhëheqës të Kongresit, se ai “nuk vuri re ndonjë lëvizje të re” drejt dhënies fund të një ngërçi disamujor mbi rritjen e kufirit të huamarrjes dhe shmangien e dështimit të mundshëm të pagesës së huave.
Presidenti Biden zhvilloi bisedime në Shtëpinë e Bardhë me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, udhëheqësin e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries, udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës republikane, senatorin Mitch McConnell.
Sfida e tyre fillestare ishte pajtimi se për çfarë do të bisedonin ndërsa takimi zgjati pak më shumë se 60 minuta.
Ndërsa afron 1 qershori dhe qeveria rrezikon të dështojë në përmbushjen e detyrimeve financiare, çka do të shkaktonte një kaos ekonomik, republikanët shkuan në Shtëpinë e Bardhë me shpresën për të negociuar shkurtime të mëdha të shpenzimeve federale në këmbim të rritjes së tavanit të huamarrjes.
“I bëra presidentit këtë pyetje të thjeshtë, a beson ai se ka ndonjë hapësirë ku mund të gjejmë kursime”, u tha zoti McCarthy gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë. “Gjithçka që po kërkoj është që të shpenzojmë të njëjtën shumë parashë që kemi shpenzuar pesë muaj më parë”.
Nga ana tjetër, Presidenti Biden përforcoi kundërshtimin e tij për të lejuar që besimi dhe aftësia e vendit për të marrë kredi, të mbahen “peng” i negociatave. Zoti Biden pohoi gatishmërinë e tij për të zhvilluar bisedime për buxhetin vetëm pasi falimentimi të mos jetë më kërcënim.
Duke folur me shtypin para fillimit të takimit, Presidenti Biden u tha gazetarëve: “Ne do të fillojmë, do të zgjidhim të gjitha problemet e botës”.
Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se, “Shtetet e Bashkuara nuk do të dështojnë (të paguajnë borxhet). Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë kurrë”. Kryetari i Dhomës së Përfaqësueve, republikani Kevin McCarthy tha: “Kam bërë gjithçka në fuqinë time për t'u siguruar që nuk do të dështojmë”.
Zoti McCarthy tha se Presidenti Biden kishte udhëzuar ekipin e tij për të vazhduar diskutimet dhe se udhëheqësit do të mblidheshin përsëri të premten.
Përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë, si zoti McCarthy ashtu edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, këmbëngulën se ishte e thjeshtë të shmangej dështimi, nëse njëra palë do të hiqte dorë nga kërkesat.
Hendeku mes qëndrimeve të kundërta po nxit pasiguri që po trondisin tregjet financiare. Takimi u caktua të fillonte pas mbylljes së tregjeve financiare në Shtetet e Bashkuara të martën.
Zoti McCarthy tha të martën se duhet të arrihet një marrëveshje deri javën tjetër që Uashingtoni të mund të përmbushë afatin e 1 qershorit. Ai tha se nuk shikon asnjë arsye pse të dyja palët të mos arrijnë një marrëveshje të shpejtë lidhur me propozimet e republikanëve për shkurtimin e shpenzimeve federale në këmbim të rritjes së kufirit të huamarrjes.
“Unë nuk mendoj se është aq e vështirë”, u tha zoti McCarthy gazetarëve.
Por zoti Biden dhe demokratët janë kundër. Presidenti këmbëngul se rritja e kufirit të borxhit është e panegociueshme, duke thënë se shkurtimi i shpenzimeve duhet trajtuar veçmas si pjesë e procesit të buxhetit vjetor.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan së fundmi një projekt-ligj gjithëpërfshirës për të ulur shpenzimet, një ofertë hapëse në negociata. Por ky legjislacion nuk ka asnjë shans të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka kërcënuar me veto.
Dështimi për të paguar faturat, thonë zyrtarët, do të destabilizonte tregjet globale dhe ta çonte vendin drejt një rënie ekonomike me pasoja katastofike.