Lidhje

Trupat amerikane mbërrijnë në kufirin me Meksikën


Rreth 550 trupa amerikane kanë filluar të mbërrijnë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, grupi i parë i mbështetjes ushtarake përpara shtimit të pritshëm të valës së emigrantëve, thanë të martën zyrtarët e mbrojtjes amerikane.

Vendosja e trupave është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit jugor në prag të skadimit të afatit të kufizimeve të lidhura me pandeminë e koronavirusit, gjë që pritet të sjellë një rritje të numrit të imigrantëve në kufi.

Kufizimet do të skadojnë të enjten, çka ka shtuar shqetësimet lidhur me rritjen e mundshme të fluksit të migrantëve që përpiqen të hyjnë në SHBA duke filluar nga e premtja.

Forcat ushtarake do të përdoren kryesisht për të ndihmuar në monitorimin dhe vëzhgimin e kufirit, ose veprimtari administative, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.

Qëllimi i dërgimit të forcave ushtarake është që punonjësit e kufirit të merren vetëm me detyrat e tyre, thotë zoti Ryder. Më shumë se 900 ushtarë shtesë do të dërgohen në kufi nga fundi i majit. Sipas planit fillestar, trupat do të kenë një mision 90-ditor në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Sipas ligjit amerikan dhe ndërkombëtar, migrantët kanë të drejtë për të kërkuar azil. Për më shumë se dy vjet, administrata e Presidentit Biden mbajti në fuqi një vendim të kohës së ish-Presidentit Trump për kufirin jugor amerikan, bazuar në një urdhër ekzekutiv, i cili pezullonte ligjet e emigracionit, duke mos i lejuar emigrantët nga Amerika jugore të hynin në territorin amerikan për të kërkuar strehim politik dhe mundësonte dëbimin e shpejtë të migrantëve drejt vendeve të tyre të origjinës, ose qyteteve kufitare të Meksikës.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se është e gatshme të përballet me situatën pas skadimit të kufizimeve, megjithëse ka kritikuar vazhdimisht Kongresin se nuk ka bërë ndryshime në ligjet për imigracionin.

XS
SM
MD
LG