Lidhje

Prishtinë, festivali “Mirëdita, Dobar dan”


Prishtinë, festivali “Mirëdita, Dobar dan”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Prishtinë, festivali “Mirëdita, Dobar dan”

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Kosova, Serbia e Bosnjë e Hercegovina thanë të shtunën se mungesa e lirisë së lëvizjes ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, po vazhdon të pengojë zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe paqes së qëndrueshme në këtë rajon.

Komentet ishin pjesë e debatit “Liria e lëvizjes në rajon – tani është koha”, që u zhvillua në kuadër të veprimtarive të festivalit “Mirëdita, dobar dan” i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë.

“Vet festivali në të cilin ne jemi tash pjesë është një ndër përpjekjet që të thehen këto barriera dhe të jemi një hap përpara politikanëve, por kaq nuk mjafton. Politika është ajo që me vullnetin ose jo të saj mund t’i çojë gjërat përpara ose mund t’i bllokojë siç edhe i ka bllokuar tash. Natyrisht trysnia duhet të vazhdojë prej organizatave të shoqërisë civile, mediave e kështu me radhë por prap politika në fund i merr vendimet”, tha analisti nga Kosova, Imer Mushkolaj.

Veprimtari nga Beogradi, Gjorgjo Cvijoviq, tha se ka një dallim shumë të madh ndërmjet vullnetit deklarativ të politikbërësve në rajonin e Ballkanit, dhe vullnetit të tyre real për t’i ndryshuar gjërat në teren.

“Gjithsesi ekziston një dallim i madh ndërmjet gatishmërisë deklarative të të gjitha qeverive në rajon sa i takon bashkëpunimit rajonal dhe të asaj se çfarë po ndodh vërtetë në teren dhe se çfarë po dëgjojmë në përditshmërinë tonë. Mendoj që ky dallim tashmë është shumë më i madh sesa që ka qenë për shembull para shtatë viteve, atëherë kur është themeluar zyra rajonale për bashkëpunim të të rinjve. Tash jemi në një situatë kur diçka që është nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve nuk është duke u zbatuar”, tha ai.

Rasim Ibrahimagiq nga Bosnje e Hercegovina tha se rajoni në përgjithësi ka nevojë për nisma që nxisin interesimin e të rinjëve për t’u njohur dhe për të krijuar marrëdhënie më të mira fqinjësore në të ardhmen.

“Një qytetar mesatar në Bosnjë nuk din absolutisht asgjë për Kosovën, as për jetën në Prishtinë apo se me çfarë mirren njerëzit këtu dhe se si është situata politike. Nuk kemi shumë mundësi se si të njoftohemi mbi këto gjëra dhe thënë të drejtën nuk ka as shumë interesim nga të rinjtë, thjeshtë nuk bëhet asgjë për të krijuar kushte dhe mundësi që të rritet interesimi i tyre”, tha ai.

Ky është edicioni i dhjetë i festivalit “Mirëdita, dobar dan” i cili sipas organizatorëve synon shkëmbimin e veprimtarive artistike si mjet për promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2014 kemi pasur edicionin e parë të festivalit përmes të cilit kemi filluar këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja të Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile. Gati një dekadë më vonë edhepse sfidat politike po vazhdojnë, ne po vazhdojmë të punojmë me të njëjtin qëllim. Ne e kuptojmë se ka çështje politike e historike të rrënjosura thellë që po vazhdojnë të krijojnë ndarje midis shoqërive tona, por besojmë që shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor mund të jetë një mjet i fuqishëm në promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore”, tha drejtori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi, me 4 maj në hapje të tij.

Festivali “Mirëdita, dobardan” i cili nisi në vitin 2014, paraqet filma, ekspozita dhe organizon debate për të afruar posaçërisht serbët dhe shqiptarët, thellësisht të ndarë që nga lufta e viteve 1998 - 1999.

Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi në bashkëpunim edhe me organizata nga Kosova. Ky festival në Serbi zakonisht është përballur me protesta të grupeve ultranacionalistësh serbë që kërkojnë anulimin e tij.

XS
SM
MD
LG