Policia serbe tha herët të premten se arrestoi një të dyshuar për një seri të shtënash që lanë pas vetes të paktën tetë të vrarë dhe 14 të plagosur, në sulmin e dytë masiv në dy ditë në Serbi.
Policia tha se personi i identifikuar me inicialet U.B., u arrestua pranë qytetit të Kragujevcit, rreth 100 kilometra në jug të Beogradit.
Të shtënat ndodhën një ditë pasi një djalë 13-vjeçar përdori armët e babait të tij për të vrarë tetë nxënës dhe një roje në një shkollë në Beograd.
Arrestimi i së premtes pasoi një kërkim gjatë gjithë natës nga qindra policë, të cilët bllokuan një zonë në jug të Beogradit ku ndodhën vrasjet e së enjtes.
Sulmuesi qëlloi mbi njerëzit në tre fshatra pranë Mlladenovcit, rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit, thanë mediat serbe.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi sulmin e së enjtes "një akt terrorist", ndrsa paralajmëroi një sërë masash "anti-terroriste", përfshirë punësimin e 1 mijë e 200 policëve dhe vënien e një oficeri policie në roje çdo ditë në shkolla.
Megjithëse Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve 1990, sulmet në masë janë të rralla.
Sulmi më i fundit në masë, para ngjarjes në shkollën fillore në Beograd, ka ndodhur në vitin 2013, kur një veteran lufte vrau 13 persona në një fshat serb.