Sipas një artikulli të botuar në gazetën “The New York Times”, mesazhet me tekst të ish-drejtuesit të famshëm të televizonit “Fox News” Tucker Calson, luajtën një rol në largimin e tij nga stacioni televiziv me prirje konservative.
Mes mesazheve me tekst, zoti Carlson thuhet të ketë shkruar se, “mbështetësit e zotit Trump që godisnin një protestues nuk ishte mënyra se si luftojnë burrat e bardhë”, njofton gazeta “The New York Times”.
Mesazhi në fjalë ishte mes një tufe mesazhes të shkëmbyera mes zotit Carlson dhe drejtuesve të tjerë të kanalit “Fox News” të zbuluara si rezultat i ngritjes së një padie për shpifje nga kompania “Dominion Voting Systems” kundër rrjetit “Fox News” për transmetimin e pretendimeve të rreme se makinat e kompanisë ishin përdorur për të manipuar zgjedhjet e vitit 2020.
Palët arritën një marrëveshje pak momente para se të fillonte procesi gjyqësor. Kompania Fox u pajtua t'i paguante firmës Dominion një dëmshpërblim prej afro 800 milionë dollarësh.
Ndërsa disa nga mesazhet me tekst të zotit Carlson janë publikuar, mesazhi i cituar nga gazeta është redaktuar nga gjykata, po ashtu edhe fakte të tjera. Organizatat mediatike, përfshirë Associated Press, vazhdojnë përpjekjet për të hequr redaktimet.
Sipas gazetës “The New York Times” zoti Carlson i dërgoi mesazhin me tekst një producenti pak orë pasi mbështetësit e zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar 2021. Në mesazhin me tekst, ai përshkruan një video që kishte parë disa javë më parë, ku mbështetësit e zotit Trump godasin një individ që e cilësojnë si “antifa”, grup që e quan veten antifashist.
Zoti Carlson duket se shpreh emocione kontradiktore ndërsa shikon përleshjet, që i përshkroi si “tre kundër të paktën një individi”. “Ta godasësh në atë mënyrë është padyshim e pandershme. Nuk është mënyra se si burrat e bardhë luftojnë”, citon gazeta të ketë thënë zoti Carlson. Zoti Carlson dhe avokati i tij nuk iu përgjigjen pyetjeve për të komentuar të dërguara nga agjencia e lajmeve Associated Press.