Në Shqipëri nisi sot zbatimi i fazës së dytë të hartës së re gjyqësore e cila parashikon një reduktim të ndjeshëm të gjykatave dhe prokurorive.
Pasi në 1 shkurt të këtij viti, 6 gjykata Apeli u shkrinë në një të vetme në Tiranë, duke trashëguar mbi 29 mijë çështje për shqyrtim, nga sot do të ketë dhe më pak gjykata të Shkallës së parë. Nga 22 të tilla, tani e tutje do të veprojnë vetëm 13 gjykata. Dosjet e proceseve në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec, transferohen në gjykata të tjera.
Si Këshilli i lartë Gjyqësor, ashtu dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë bërë kalimin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve në strukturat e riorganizuara.
Faza e tretë që nis zbatimin në 1 korrik, parashikon uljen e numrit të gjykatave administrative, të cilat nga 6 do të mbeten vetëm dy, një në Tiranë dhe një në Lushnje.
Këshilli i Lartë gjyqësor, i cili përgatiti hartën e re gjyqësore është shprehur se ky riorganizim do të sjellë me shumë efikasitet duke ofruar një shërbim më cilësor për qytetarët, ndërkohë që ajo hasi në kundërshtime të shumta, veçanërisht nga komuniteti i avokatëve, sipas të cilëve, riorganizimi i sistemit gjyqësor cënon aksesin e qytetarëve dhe rrit kostot e tyre.