Në Shqipëri, qeveria miratoi sot hartën e re gjyqësore e cila redukton në mënyrë drastike numrin e gjykatave në vend. “Miratimi është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Harta është bashkëpropozim i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Ministrisë së Drejtësisë. Është produkt i një grupi ekspertësh të KLGJ-së të asistuar nga ekspertë të Këshllit të Europës por dhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë. Është një punë e shkëlqyer tre vjeçare e KLGJ-së, që u finalizua sot me miratimin në qeveri”, njoftoi ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Riorganizmi parashikon se nga 22 gjykata të shkallës së parë do të mbeten vetëm 13 të tilla, nga 6 gjykata administrative vetëm dy, ndërsa për të gjthë vendin do të funksionojë vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë.
Ministri Manja shpjegoi se “në gjykatat që do të mbyllen nuk do të cënohet asnjë shërbim gjyqësor. Këto shërbime do të merren në strukturat ekzistuese”. Rikonfigurimi i ri i gjykatave do të nisë vitin e ardhshëm e do të realizohet në tre faza duke nisur nga muaji shkurt deri në fillim të korrikut.
Kundër hartës së re u rreshtua haptazi komuniteti i avokatëve por dhe organizata të shoqërisë civile. Avokatët nisën në fund të muajit qershor dhe një bojkot të seancave gjyqësore, në shenjë proteste, duke argumentuar se harta e re cënon aksesin e qytetarëve dhe rrit kostot e tyre. Ata i dhanë të enjten fund bojkotit, por njoftuan se po përgatiten për të çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Miratimi i hartës së re u përshëndet nga ambasada amerikane në Tiranë. “Marrëveshja për hartën, e cila pasoi konsultime të gjera dhe marrjen në shqyrtim të shqetësimeve nga palët e interesuara si pjesë e procesit tre-vjeçar, përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura” thekson deklarata, sipas së cilës “Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përmbushur me sukses detyrimin e tij ligjor për të garantuar rregullisht që sistemi i gjykatave është gati për të siguruar performancë te efektshme gjyqësore dhe për t’i dhënë drejtësi pa vonesë qytetarëve shqiptarë”.
Ndërsa sipas Delegacionit të Bashkimit Europian “miratimi i sotëm i hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Ministrave është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave në Shqipëri. Harta e re, e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi dhe është zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve të BE-së, Këshillit të Evropës dhe SHBA-së. Një plan solid zbatimi tani është kyç”, nënvizon deklarata.