Lidhje

Dita e punëtorëve shënohet me protesta në Kosovë


Grupe punonjësish të sektorit privat në Kosovë protestuan të hënën në Prishtinë duke kërkuar kushte më të mira të punës.

Partia Socialdemokrate e Kosovës ndërkaq akuzoi qeverinë për injorim të kërkesave dhe të të drejtave të punëtorëve.

Dita e punëtorëve shënohet me protesta në Kosovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik, bëri thirrje në ditën ndërkombëtare të punëtorëve për rritje të pagës minimale, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim të barabartë me punonjësit e sektorit publik, rritje të numrit të inspektorëve të punës si dhe krijim të një fondi për ata që humbin jetën në vend të punës.

“Nuk do të ju lusim më. Qeveri e nderuar të mirat që u kemi dhënë juve sipas të gjitha gjasave tani e tutje do t’i përfitojë dikush tjetër. Momenti i fundit që e keni humbur ju dhe ne, shpëtoni atë çfarë mund të shpëtohet përndryshe realiteti është realitet – në vitin 2021 dhe 2022 na kanë ikur nga Kosova mbi 100 mijë punëtorë si këta që kemi përballë”, tha kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Shoqata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist” nëpërmjet një parakalimi në qendër të Prishtinës, shprehu pakënaqësinë me sic u tha, trajtimin e pabarabartë të punonjësve dhe shkallën e lartë të papunësisë në vend.

“Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, paga minimale prej 170 eurosh, vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar, përkundrazi janë pjesë e një sistemi të mirëdizajnuar i cili mbahet e rritet përmes pabarazisë, shtypjes dhe dhunës”, tha Bjeshka Guri nga kjo shoqatë.

Brikena Hoxha nga Nisma e Kosovës për Stabilitet tha të hënën se ndër sektorët me më së shumti probleme janë gastronomia dhe hoteleria. Ajo i bëri këto komente në një konferencë për media, gjatë së cilës u njoftua për themelimin e shoqatave sindikale për këta dy sektorë, në bashkërendim me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Ne besojmë që me formalizim, me ofrim të kontratave të punës, me trajtim të dinjitetshëm në punë, punëtorët e të rinjtë e Kosovës do të qëndrojnë në Kosovë dhe do të kenë perspektivë dhe do të ketë një zhvillim ekonomik edhe më të mirë”, tha ajo.

“Punëtori në Kosovë është llogaritur si vegël dhe jo si aset, pagat janë të mjerueshme e minimale, punëtorëve duhet t’u paguhet djersa, ta kenë një pagë të dinjitetshme që ta mbajnë veten dhe familjen. Duhet të punohet me qeverinë e Kosovës në vazhdimësi që nëpërmjet inspektorëve të punës të u krijohen kushte sa më të mira për punë me qëllimin e vetëm që të arrihet produktivitet”, tha nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Selatin Sadiku.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në tremujorin e parë të vitit 2022 papunësia në Kosovë është afër 17 për qind, një rënie në krahasim me vitin 2021 kur shkalla e përgjithshme e papunësisë ishte mbi 20 për qind. Ndërkohë të punësuarit vazhdojnë të përballen me probleme të trashëguara si mungesa e sigurisë në punë dhe paga e ultë minimale, më e ulta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

XS
SM
MD
LG