Bashkimi Evropian u bëri thirrje të martën Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë në tërësi të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur me 18 mars në Ohër, e cila ndër të tjera kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i bëri këto komente një ditë pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës vendosi të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi votoi kundër këtij vendimi.
“Bashkimi Evropian e ka përsëritur në disa raste se cili është pozicioni ynë dhe pritshmëria jonë nga të dy palët dhe kjo është që të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të zbatohen me shpejtësi, mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, për çfarë palët janë pajtuar”, tha zoti Stano.
Ai nuk tha nëse nëse vota e Serbisë paraqet shkelje të marrëveshjes së Ohrit, por theksoi se Bashkimi Evropian është në dijeni të kësaj vote.
Në Kosovë vendimi i Komitetit Ministror të Këshillit të Evropës u vlerësua si hap me peshë historike për vendin, por Beogradi zyrtar reagoi ashpër kundër tij.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha të martën pas mbledhjes së qeverisë së Serbisë se kushdo që thotë se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm është pjesë e marrëveshjes së Ohrit – gënjen. “Atyre u është thënë qartë se çfarë do të zbatojmë ne dhe çfarë jo”, tha ai në një konferencë me gazetarë.
Zoti Stano tha se vendet anëtare të BE-së dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi tani presin më shumë veprime konkrete dhe jo fjalë nga të dyja palët.
Presidenti serb Vuçiç tha të hënën se Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e Ohrit dhe do nuk do të zbatojë pjesët që flasin për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Ne vazhdojmë të dëgjojmë komente nga njëra anë apo tjetra por në vend të deklarimeve publike, komenteve dhe shkëmbimeve e të tjera, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë presin jo më shumë fjalë publike por veprime konkrete. Prandaj sërish diskutimet për nënshkrimin janë plotësisht të padobishme dhe të parëndësishme sepse ka një zotim në nivelin më të lartë politik dhe ky zotim tani është bërë ligjërisht i detyrueshëm në rrugën integruese të të dyja palëve” tha zoti Stano duke shtuar se “përparimi në dialog e në zbatim do të pasqyrohet edhe politikisht, ekonomikisht e financiarisht në rrugën e tyre integruese, prandaj është cështje e besueshmërisë, sinqeritetit dhe vendosmërisë së të dy palëve sepse kjo do të përcaktoj se si do të ecin përpara në përmbushjen e një përparësie strategjike që i kanë vendosur vetes”.
Ai nënvizoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si çështje me përparësi urgjente.
Ndryshe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte kusht për pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veriun e Kosovës.
Me gjithë bojkotimin e tyre, vëzhguesit vlerësojnë se procesi zgjedhor u zhvillua pa ndonjë incident por pjesëmarrja tepër e ultë e votuesve ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e rezultatit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas të cilave lëvizja Vetëvendosje fitoi në dy komuna, Leposaviq dhe Mitrovië e Veriut ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në dy komunat tjera Zubin Potok dhe Zveqan.