Lidhje

Rusi, gazetari amerikan i arrestuar për spiunazh mbetët në paraburgim  


Gjykata e Qytetit të Moskës vendosi të martën ta mbajë në paraburgim gazetarin amerikan Evan Gershkovich në pritje të përfundimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor kundër tij. Ai u arrestua me akuza për spiunazh të cilat janë hedhur poshtë nga zoti Gershkovich dhe qeveria amerikane. Gazetari i “Wall Street Journal” është korrespondenti i parë amerikan, që nga Lufta e Ftohtë që arrestohet në Rusi nën akuzat për spiunazh.

Rusi, gazetari amerikan i arrestuar për spiunazh mbetët në paraburgim
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Gjykata e qytetit të Moskës vendosi ta mbajë në paraburgim gazetarin amerikan Evan Gershkovich i cili dukej i qetë brenda një kafazi prej xhami, ndërsa gjykatësi hodhi poshtë kërkesën e avokatë,ve të tij për lirim me kusht ose vënien në arrest shtëpiak. Ai do mbahet në paraburgim të paktën deri më 29 maj.

“Mund të them vetëm sa shqetësuese ishte të shikoja një gazetar të pafajshëm, të mbajtur në këto rrethana. Unë munda ta takoja atë të hënën në burg. Ishte hera e parë që na u lejua kjo që nga ndalimi i tij më shumë se dy javë më parë. Mund të them se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mbetet i fortë, pavarësisht rrethanave”, tha ambasadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë e arrestoi në mars 31-vjeçarin në Yekaterinburg dhe e akuzoi atë se po përpiqej të merrte informacione sekret në lidhje me një fabrikë ruse armësh.

Ai, punëdhënësi i tij, gazeta amerikane “Wall Street Journal” dhe qeveria e SHBA-së mohojnë që ai të jetë përfshirë në spiunazh dhe kanë kërkuar lirimin e tij.

“Ai është i gatshëm të përballet me këtë situatë. Është gati të luftojë për shtyp të pavarur dhe të mbrohet. Në seancën e sotme tha se ishte i gatshëm të provonte se ishte i pafajshëm”, tha një prej avokateve të tij, Maria Korchagina.

Gazetari amerikan mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i cili daton nga epoka cariste dhe ka qenë një simbol i tmerrshëm i represionit që nga koha sovjetike.

“Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës duke lexuar në rusisht, kryesisht vepra klasike ruse, si Lufta dhe Paqja dhe përdor palestrën. Ai ka të drejtë të bëjë shëtitje jashtë dhe shikon televizor”, tha avokatja tjetër mbrojtëse e zotit Gershovich, Tatian Nozhkina.

Javën e kaluar, Uashingtoni zyrtarisht e cilësoi si të padrejtë ndalimin e zotit Gershkovich.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 20 vjet burg. Avokatët rusë kanë thënë se hetimet e kaluara për rastet e spiunazhit kanë zgjatur nga një vit deri në 18 muaj, kohë gjatë së cilës ai mund të ketë pak kontakt me botën e jashtme.

Në dhjetor, basketbollistja amerikane Brittney Griner u shkëmbye me tregtarin rus të armëve Viktor Bout pas gjyqit dhe dënimit të saj për posedim droge.

Paul Whelan, një tjetër shtetas amerikan, drejtori për sigurinë globale i kompanisë amerikane të furnizimit me pjesë këmbimi për makinat, “BorgWarner”, është burgosur në Rusi që nga dhjetori i vitit 2018 me akuza spiunazhi, të cilat familja e tij dhe qeveria amerikane i kanë quajtur të pabaza.

“Akuzat kundër zotit Evan janë të pabaza dhe i bëjmë thirrje Federatës Ruse që ta lirojë menjëherë. Ne gjithashtu bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Paul Whelan-it. Ai është burgosur për më shumë se katër vjet në Rusi. Të dy meritojnë që të shkojnë në shtëpi te familjet e tyre”, tha ambadorja amerikane në Moskë, Lynne Tracy.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur ndalimin e gazetarit “krejtësisht të paligjshëm” dhe i tha familjes se ai po punonte për lirimin e zotit Gershkovich.

Arrestimi i gazetarit u bë në një moment tensionesh të ashpra midis Perëndimit dhe Moskës për agresionin e saj në Ukrainë dhe teksa Kremlini ka intensifikuar shtypjen e aktivistëve të opozitës, gazetarëve të pavarur dhe grupeve të shoqërisë civile.

Fushata gjithëpërfshirëse e represionit është e paprecedentë që nga epoka sovjetike. Aktivistët thonë se kjo shpesh nënkupton se vetë profesioni i gazetarisë është kriminalizuar, së bashku me aktivitetet e rusëve të rëndomtë që kundërshtojnë luftën.

XS
SM
MD
LG