Lidhje

Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara


Një stuhi e madhe shkaktoi reshje dëbore dhe shiu në Kaliforni, duke çuar në rrëshqitje dheu dhe përmbytje në disa akse rrugore, ndërsa në anën tjetër të vendit të shtunën u dhanë paralajmërime për stuhi në zonat të tjera të Shteteve të Bashkuara.

Një tjetër stuhi pritet të mbërrijë gjatë javës së festës së Ditës së Falënderimeve, sipas Torry Dooley, meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit.

Ultësira perëndimore amerikane deri në pjesën që njihet si “Great Lakes”, pranë Kanadasë, do të përfshihen nga reshje shiu dhe dëbore të hënën, ndërsa në brigjet lindore amerikane pritet përkeqësim i motit gjatë ditës së festës, të enjten.

Zonat nga Bostoni deri në Nju Jork mund të përballen me reshje dhe erëra të forta. Në pjesët veriore të Nju Hampshërit dhe Meinit mund të bjerë dëborë.

Stuhia goditi pjesën Veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara në fillim të kësaj jave, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe lënë pa energji elektrike mijëra vetë, kryesisht në zonën e Siatëllit, përpara se erërat e forta të zhvedosesin drejt Kalifornisë Veriore.

Brigjet perëndimore amerikane u goditën të martën nga një "ciklon bombë", i cili ndodh kur një ciklon intensifikohet me shpejtësi. Erërat e forta rrëzuan pemë, dëmtuan makina dhe shtëpi.

Reshjet e shiut në Santa Rosa të Kalifornisë vazhduan për tre ditë me radhë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Ndërkohë në brigjet lindore amerikane, ku disa zona në Nju Jork dhe Nju Xhersi ishin përfshirë nga zjarret, stuhia me reshje shiu u mirëprit nga banorët. Pjesë të Pensilvanisë u zbardhën nga reshje të mëdha bore.

Në disa pjesë të Virxhinias Perëndimore reshjet dëborës arritën deri në 61 centimetra dhe u shoqëruan me erëra të forta.

XS
SM
MD
LG