Lidhje

Miratohet ilaçi që lufton efektet e mbidozës së opioideve 


Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara miratoi përdorimin pa recetë mjekësore të një ilaçi që lufton efeket nga mbidoza e opioideve. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, ilaçi Narcan neutralizon pasojat e opioidit të fuqishëm fentanil, shkaktar për një numër të lartë vdekjesh nga mbidoza në SHBA.

Miratohet ilaçi që lufton efektet e mbidozës së opioideve 
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara vendosi të mërkurën që ilaçi me sprucim në hundë Narcan, variant më i mire i ilaçit nalokson, të shitet nëpër dyqane, pa recetë nga mjeku.

Ilaçi neutralizon opioidin e fuqishëm fentanil, shkaktar për një numër të lartë vdekjesh nga mbidoza në SHBA.

Fentanili është një ilaç narkotik për të trajtuar dhimbjet e forta nga problemet shëndetësore, por ka gjetur përdorim si drogë duke u shitur mënyrë të paligjshme.

Sipas organeve të rendit, pjesa më e madhe e fentanilit të paligjshëm hyn në SHBA nga Meksika. Prodhimi i tij është i lirë, lëndët e para merren nga Kina.

Fentanili përzihet me droga të tjera si heroina, apo kokaina, ose përdoret në formë pilulash, që duken si ilaç për lehtësimin e dhimbjeve.

“Fentanili shitet në forma të ndryshme dhe prodhohet e paketohet në një mënyrë të tillë, që duket si një qetësues dhimbjesh. Duket si oksikodon, një ilaç tjetër për lehtësimin e dhimbjeve, që merret në farmaci. Fatkeqësisht po shohim se shumë njerëz që nuk janë mësuar me përdorimin e opioideve, mendojne se dikush po u jep një pilulë kundër dhimbjeve, por në fund rezulton të jetë fentanil”, thotë Nathan Kittle, specialist mbi varësinë ndaj ilaçeve

Prandaj, sipas tij, qasja e shpejtë tek ilaçi nalokson mund të jetë vendimtar për të shpëtuar jetë.

“Sa më shume njerëz, të cilët nuk po përdorin opioide, të kenë qasje ndaj naloksonit dhe të dinë ta përdorin atë, aq më shumë jetë do të shpëtohen, sepse nuk i dihet se kur në fakt të është dhënë fentanil”, thotë ai.

Vendimi i Administratës së Ushqimit dhe Barnave mundëson blerjen e ilaçit nalokson pa recetë në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Në shtetin e Uashingtonit, ndërkohë, ky ilaç është ofuar gjerësisht që në vitin 2019 dhe ai gjendet në kutitë e emergjencës në shkolla si edhe nëpër librari. Lupe Hurtado, e cila dikur ka patur varësi nga droga dhe aktualisht është këshilluese për bashkëmoshatarët e saj thotë se ilaçet që shpëtojnë jetë mund të rezultojnë të efektshëm vetëm nëse merren në kohë.

“Njerëzit ndihen të turpëruar për shkak të përdorimit të drogës. Ndaj e përdorin vetëm. Nëse e përdor vetëm, e ke të pamundur ta shpëtosh veten nga mbidoza. Ilaçi Narcan mund të shpëtojë jetën, por duhet të ta japi dikush. Nuk e merr dot vetë. Ndaj është me rëndësi që të mos izolohesh dhe nga ana tjetër këta njerëz të pranohen si pjesë e komunitetit, siç në fakt janë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithësecili duhet të dijë të dallojë një person që ka marrë mbidozë dhe të dijë të përdorë ilaçin nalokson.

“Nuk i dihet asnjëherë se kur dhe kujt mund t’i ndodhë. Mund të jesh duke udhëtuar me makinë. Mund të jesh në autobus apo në stacion. Mund të jesh në dyqan dhe aty të gjendet një person që ka marrë mbidozë", thotë ajo.

Eksperti i shëndetit publik, Brad Finegood , thotë se ndalimi i vdekjeve nga fentanili nënkupton shpëtimin e jetëve përmes naloksonit dhe dhënies mundësi që persona e varur nga opioidi i fuqishëm, të nisin mjekimin.

“Paaftësia për të kontrolluar përdorimin e substancave është një gjendje shëndetësore kronike. Njerëzit kanë probleme shëndetësore, të cilat janë të kurueshme, Dhe nëse i japim trajtimin që i nevojitet, atëherë ata do të përmirësohen dhe do të shërohen”, thotë eksperti i shëndetit publik, Brad Finegood.

Për procesin e kalimit nga dhënia me recetë tek shitja në dyqane të ilaçit Narcan, mund të nevojiten muaj të tërë. Përmes një deklarate të lëshuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, u bëhet thirrje prodhuesve farmaceutikë që ilaçi të jetë i disponueshëm sa më parë, me një çmim të arsyeshëm.

XS
SM
MD
LG