Mijëra qytetarë morën pjesë në një parakalim në Prishtinë në mbështetje të katër ish drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një ditë para fillimit të procecit gjyqësor ndaj tyre në Gjykatën e Posaçme në Hagë.
Me parullat si “Liri për çlirimtarët” dhe “Historia nuk mund të rishkruhet”, pjesëmarrësit parakaluan në sheshin qendror Prishtinës me moton “marshojmë për drejtësi”.
Themeluesit e platformës “Liria ka emër” e cila organizoi këtë parakalim, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, thanë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri e së mirës, lirisë dhe jetës.
“Ne si komb, njëzëri e bashkë siç na ka hije, marshojmë kundër ndryshimit të historisë, marshojmë për drejtësi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi e fillojnë nesër betejën e radhës, betejën për të vërtetën dhe drejtësinë, si gjithmonë do të na kthehn fitimtarë e faqebardhë”, tha zoti Tasholli.
“UÇK na bashkon të gjithëve, pa dallim, thirrja për drejtësi na bashkon. Unë jam e bindur e ky shesh do të buqojë sërish në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë”, tha zonja Hoxha.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se drejtësia duhet të ndjekë forcat serbe që kanë kryer krime në luftën e vitit 1998-1999.
“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrishë, por ishte një luftë ndërmjet lirisë e tiranisë, drejtësisë dhe të padrejtës, shpresës dhe dëshprimit. Ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj po, ne po kërkojmë drejtësi sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë ende para drejtësisë”, tha zoti Krasniqi.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, për fatin e një pjese prej të cilëve nuk dihet asgjë as 24 vjet pas.
Bajram Qerkini, përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës tha se nëse ka drejtësi, ajo duhet të ndriçojë së pari fatin e tyre.
“Nëse ka diku drejtësi është dashur të na tregojnë ku janë edhe mbi një mijë e 600 njerëz, është dashur të na tregojë bashkësia evropiane se ku i kemi fëmijët”, tha zoti Qerkini.
Kundër ish presidentit Hashim Thaçi, ish kryeparlamentarëve të Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish shefit parlamentar të lëvizjes Vetvendosje, Rexhep Selimi, rëndojnë gjithsej dhjetë akuza, gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.