Lidhje

Kryeministri izraelit Netanjahu shtyn vendimin për ndryshimet në sistemin e drejtësisë


Kryeministri Benjamin Netanjahu shtyu të hënën një vendim mbi planet për ndryshime themelore të sistemit gjyqësor deri në muajin e ardhshëm, mes shqetësimeve se kriza më e rëndë e brendshme e Izraelit ndër vite, mund të shkaktojë çarje në koalicionin e tij, ose të përshkallëzohet në dhunë.

Kryeministri Netanjahu po përballej me presion në rritje të hënën për të ndalur përpjekjet e qeverisë për të miratuar ndryshime gjithëpërfshirëse në gjyqësorin izraelit, pasi qindra mijëra protestues dolën në rrugë kundër tij.

Plani për ndryshimet themelore në sistemin gjyqësor ka ngjallur një indinjatë të pashembullt publike që kur koalicioni i partive të djathta dhe fetare i drejtuar nga zoti Netanjahu erdhi në pushtet në fund të vitit të kaluar, si dhe ka shkaktuar alarm tek aleatët perëndimorë të Izraelit.

CILI ËSHTË PROBLEMI I QEVERISË ME GJYQËSORIN?

Kritikët e Gjykatës së Lartë, përfshirë shumë anëtarë të qeverisë së koalicionit, thonë se kjo gjykatë është me prirje të majtë dhe elitare dhe ka bërë ndërhyrje në sferën politike, ndërsa shpesh i vendos të drejtat e pakicave përpara interesave kombëtare, sipas tyre.

ÇFARË DO KOALICIONI?

Ndryshimet e propozuara nga qeveria do t’i kufizonin kompetencat e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër legjislativit dhe ekzekutivit, ndërsa do t’u jepnin ligjvënësve të koalicionit më shumë pushtet në emërimin e gjyqtarëve.

Komisioni për përzgjedhjen e gjyqtarëve aktualisht kërkon që politikanët dhe gjyqtarët që janë anëtarë të tij, thjesht të bien dakord për emërimet. Propozimi aktual do ta ndryshonte këtë, duke i dhënë qeverisë një rol vendimtar.

Zoti Netanjahu, të cilit zyrtarisht i është ndaluar përfshirja në këtë nismë, pasi është në gjyq nën akuzat për korrupsion, që ai i mohon, ka thënë se ndryshime të tilla synojnë të balancojnë dhe ta bëjnë më të larmishme Gjykatën e Lartë. Ai gjithashtu ka akuzuar mediat për keqinterpretim të planit dhe se kanë nxitur flakët e protestës në mënyrë që të rrëzojnë qeverinë e tij.

PSE PO PROTESTOJNË KAQ SHUMË IZRAELITË?

"Kontrollet dhe balancat" demokratike të Izraelit janë relativisht të brishta. Vendi nuk ka kushtetutë, vetëm "ligje bazë" që synojnë të ndihmojnë në ruajtjen e themeleve të tij demokratike. Në Knesset-in (parlamenti) me një dhomë, qeveria ka shumicën 64-56.

Kritikët thonë se ndryshimet do të dobësonin gjykatat dhe do t'i jepnin pushtet të shfrenuar qeverisë, duke rrezikuar të drejtat dhe liritë demokratike me efekte të rënda në ekonomi, si edhe marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, të cilët kanë shprehur shqetësim.

Një gjyqësor që nuk shihet si i pavarur, gjithashtu mund t'i hiqte Izraelit një nga mbrojtjet kryesore në çështjet e mundshme ligjore ndërkombëtare, të cilat mund të përfshijnë pretendime për krime lufte në konfliktin me palestinezët.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant bëri thirrje të shtunën që qeveria të tërheqë legjislacionin, duke thënë se mosmarrëveshjet mbi masat po kërcënojnë sigurinë e Izraelit. Mijëra rezervistë të ushtrisë iu bashkuan protestave dhe refuzuan thirrjet për stërvitje.

ÇFARË FAKTORËSH TË TJERË LUAJNË ROL?

Kritikët druhen se zoti Netanjahu dëshiron të përdorë ndryshimet në gjyqësor për të anuluar gjyqin ndaj tij për ryshfet ose për të ushtruar ndikim në çdo apelim tek Gjykata e Lartë. Ai ka mohuar të ketë synime të tilla.

Opozita thotë gjithashtu se aleatët nacionalistë të zotit Netanjahu duan të dobësojnë Gjykatën e Lartë për të zgjeruar vendbanimet hebraike në territorin e pushtuar, që palestinezët kërkojnë për ngritur shtetin e tyre.

Partitë ultra-ortodokse hebraike në koalicion duan të miratojnë një ligj që përjashton komunitetin e tyre nga rekrutimi në ushtri, një hap që ata shqetësohen se mund të hidhet poshtë nga gjykata më e lartë nëse kompetencat e saj nuk dobësohen.

Popullsia ultra-ortodokse e Izraelit është ndjerë prej kohësh e vënë në shënjestër nga gjykata në lidhje me shërbimin ushtarak.

ÇFARË NDODH TANI?

Qeveria kishte synuar ratifikimin përfundimtar të ndryshimeve për përzgjedhjen e gjyqtarëve deri më 2 prill, kur ligjvënësit shkojnë në pushimet e pranverës. Ndryshime të tjera ishin shtyrë deri në rimbledhjen e parlamentit më 30 prill.

Por ashtu siç pritej gjerësisht të hënën, kryeministri Netanjahu e shtyu procesin e miratimit të legjislacionit pasi shkarkimi nga ana e tij i ministrit të mbrojtjes, i cili propozoi shtyrjen e reformave, provokoi protesta masive në rrugë. Kjo bëri që edhe anëtarë të tjerë të lartë të partisë së tij të bënin thirrje për një pauzë, ndërkohë që sindikata kryesore e punëtorëve hyri në grevë. Pas vendimit për shtyrjen, kreu i grupit të sindikatave, e anuloi grevën.

Është ende e paqartë se sa do t’i kënaqë palët ose do të qetësojë gjendjen shtyrja deri në sesionin e ardhshëm të parlamentit.

Një partner i koalicionit të djathtë, Ministri i Sigurisë Itamar Ben-Gvir, tha se kishte rënë dakord për shtyrjen në këmbim të një angazhimi për të paraqitur legjislacionin në seancën e ardhshme të parlamentit.

XS
SM
MD
LG